TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e vijoi turin e saj të takimeve, me fermerët e qarkut të Vlorës, në fshatin Vajzë.
Denaj vizitoi baxhon e fermerit Çlirim Hitaj, i cili ka 30 vjet në fushën e përpunimit të qumështit, e ndërtuar brenda një shpelle.
Ministrja Denaj informoi se Hitaj produktin me standard e garanton së pari, duke mbajtur një marrëdhënie korrekte me fermerët dhe barinjtë e zonës, të cilëve u merr qumështin.
Sipas saj, Hitaj kryen analiza të përhershme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe ruajtjen e cilësisë së djathit për konsumatorët.
Ekspozimi i Shqipërisë si destinacion turistik, por dhe politikat mbështetëse për fermerët, po japin efektet pozitive edhe në promovimin e vlerave dhe cilësisë së produkteve bujqësore “Made in Albania”.
Eksportet bujqësore vijuan rritjen edhe gjatë muajit shkurt me 19.5 % krahasuar me shkurtin e vitit 2023.
Klima e favorshme, afërsia me tregjet evropiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi.
Produktet bujqësore janë të një cilësie të mirë, duke ofruar përparësi konkurruese për eksportet në Evropë dhe jashtë saj.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajra esencialë, shalqinj, bagëti (të brendshme), peshk të konservuar dhe lëkurë të papërpunuara.
/r.e/























