TIRANË, 29 mars/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut, të cilët janë nën hetim pasuror, si dhe të personave të lidhur me ta.
Dy personat nën hetimakuzohen nga autoritetet gjermane për trafik droge në kuadër të grupit të organizuar kriminal.
Princ Dobroshi nga Kosova dhe kunati i tij dyshohet se gjatë vitit 2020, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme kokaine, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.
Gjithashtu, Olsi Syziu, si pjesëtar i një bande, akuzohet se ka shpërndarë lëndë narkotike në Gjermani.
Princ Dobroshi rezulton i dënuar në vitin 1993 në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.
Ndërkohë SPAK ka sekuestruar 10 llogari bankare të tyre gjendje në total rreth 133.000, tre apartamente në Tiranë, një banesë në Gjirin e Lalzit, një shoqëri tregtare në Lezhë dhe një makinë tip Volvo.
Pasuritë e sekuestruara:
Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;
Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;
Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.
Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.























