Ballina Flash

Momente të veçanta në Presidencë, shfaqje e nxënësve të shkollës “1 Maji” të Beratit

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, priti sot nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” të Beratit.

Nxënësit e kësaj shkolle dhuruan momente të veçanta përmes një programi artistik të shfaqur në institucionin e Presidentit të Republikës, ndërsa u paraqitën të veshur me kostume kombëtare, në ruajtje të traditës.

Me interpretimet e tyre në poezi, këngë e kërcim, ata shfaqën talentin e kultivuar në shkollë, duke dëshmuar përkushtimin e stafit të mësuesve ndaj nxitjes së pasionit për artin e kulturën. Gjithashtu artistët e vegjël ekspozuan në Presidencë punimet e tyre në pikturë.

Presidenti Begaj këshilloi fëmijët jo vetëm për nxënien e dijes, por dhe për ndjekjen e ëndrrave, pasioneve dhe talenteve.

“Ju inkurajoj të vijoni të jeni nxënës të mirë, të lexoni e të studioni sa më shumë dhe të ndiqni të gjitha ëndrrat, talentet e dëshirat tuaja. Vijoni me pasionet letrare, shkencore, artistike, sportive dhe besoni në idetë tuaja! Përdoreni energjinë, kureshtjen dhe vullnetin e moshës suaj për të zbuluar mrekullinë e dijes, e do të shikoni se çdo ëndërr do të jetë e realizueshme!”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke falënderuar përzemërsisht mësuesit dhe prindërit e nxënësve për përkushtimin ndaj brezit të ri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPK konfirmon në detyrë ndihmësin ligjor, Aurel Celibashi
Artikulli tjetër“Një shtrat plot me të huaj”, sonte premiera në Teatrin “Aleksandër Moisiu”