Ballina Aktualitet

Drejt zbardhjes ngjarja kriminale në Fushë-Krujë, Balla: Pres rezultate edhe në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot për punën e Policisë së Tiranës që ndodhet drejt zbardhjes së ngjarjes kriminale të disa ditëve më parë në Fushë-Krujë.

Balla u shpreh se, “detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët”.

“Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë-Krujë”, nënvizoi Balla.

“Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër”, theksoi më tej Balla.

Ministri theksoi se, “autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë”.

Për këtë qëllim, shtoi ai, “duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve janë shumë të vlefshme”.

“Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë ndaluar/ekstraduar gjatë 24 orëve të fundit”, përfundoi Balla.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasadorja franceze nga Korça: Projekt për krijimin e Liceut Francez
Artikulli tjetërBSH: Norma e interesit për lekun mbetet 3.25%