Ballina Ekonomi

BSH: Norma e interesit për lekun mbetet 3.25%

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, ndaj vendosi sot të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 3.25 %.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se gjithashtu mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 2.25 % dhe 4.25 %.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë”, tha Sejko.

Guvernatori theksoi se vendimet e politikës monetare do të orientohen drejt respektimit të objektivit të BSH-së për stabilitetin e çmimeve dhe rritjen ekonomike.

“Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë të orientuara drejt respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”, deklaroi Guvernatori Sejko.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDrejt zbardhjes ngjarja kriminale në Fushë-Krujë, Balla: Pres rezultate edhe në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër
Artikulli tjetërBE-ja thotë se për zbatimin e marrëveshjes për normalizim do të diskutohet në takim liderësh