Ballina Aktualitet

Meta në aksin Korçë-Ersekë: Të hetohen të gjitha punimet në këtë rrugë

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha sot një prononcim për mediet nga aksi Ersekë-Korçë.

“Më vjen shumë keq që ndodhem pikërisht këtu, në të ashtuquajturën rrugë të re Korçë-Ersekë, ku para dy ditësh ka ndodhur edhe shembja e dytë e rrugës së re, siç mund ta shikoni lehtësisht, e një pjese të saj dhe mureve mbrojtëse”, tha Meta.

Meta theksoi se, “është e domosdoshme të hetohen të gjitha punimet në këtë rrugë dhe në të gjithë rrugët e tjera, të ashtu quajtura të reja, ku kanë ndodhur aksidente, ku kanë humbur jetën edhe qytetarë, ku është bërë përpjekje për t’i manipuluar këto aksidente”.

Meta shtoi se, “në Shqipëri çdo tender është i kontrolluar nga Edi Rama. Në Shqipëri të gjitha projektet janë të fryra artificialisht nga Edi Rama. Në Shqipëri një kilometër rrugë e re kushton 5-6 herë më shumë sesa në Serbi dhe vende të tjera të rajonit”.

I pyetur nëse ka ndonjë nisëm konkrete nga Partia e Lirisë, për sa i përket këtyre tenderëve Meta tha se, “ne kemi bërë veprimet tona për shumë nga aktet dhe PPP-të e kësaj qeverie që nuk mbarojnë. Dhe i bëjmë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo akt korrupsioni, u bëjmë thirrje gazetarëve të mos dorëzohen nga presioni. Sepse e dimë që edhe për këtë shembjen që ka ndodhur përpara dy ditësh, ka pasur një përpjekje të madhe për të bërë një censurë të jashtëzakonshme”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Perëndimi kritikon zgjedhjet ruse, ndërsa Xi uron Putinin
Artikulli tjetërBULLGARI – Ish-komisionerja e BE-së ngarkohet me formimin e kabinetit të ri