Ballina Flash

Opera “Goca e Kaçanikut”, rivihet në skenë pas 45 vitesh dhe bashkon Prishtinën, Shkupin e Tiranën

PRISHTINË, 24 shkurt/ATSH/- Opera e parë e Kosovës, “Goca e Kaçanikut” me kompozitor Rauf Dhomin, është shfaqur për herë të parë në Prishtinë që pas krijimit të saj më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar shfaqjen e operas një premierë historike me regji të Nikolin Gurakuqit, “Mjeshtër i Madh” i Shqipërisë.

Premiera e operës “Goca e Kaçanikut”, filloi në Tiranë në vitin 1979 dhe për tre netë me radhë po shfaqet në Prishtinë, 23 deri më 25 shkurt.

“Goca e Kaçanikut” ka bashkuar kapacitetet artistike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës.

“Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, me solistët e shkëlqyer nga të trija vendet, orkestra dhe kori i Operës së Kosovës, sollën në jetë tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër. “Goca e Kaçanikut” ka 53 vjet që është shkruar dhe premiera e saj u vu në skenë më 1979 në Tiranë”, shprehet Kurti.

Ansambli Nacional i këngëve e valleve popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut uroi  Operën e Kosovës për premierën e historike “Goca e Kaçanikut”.

Drejtori i këtij ansambli, Shkodran Toaj i cili ka ndjekur nga afër këtë shfaqje është shprehur se muzika operistike në Kosovë ka një të ardhme të ndritur dhe ajo do të ecë vrullshëm e suksesshëm sikurse të gjitha institucionet tjera në Kosovë.

Etje për muzikën e bukur të Akademikut Rauf Dhomi, dëshirë për të përjetuar ngjarjet historike të popullit tonë plot sfida apo dhe krijimi i një elite të mirëfilltë të Kosovës për gjininë e bukur të operës, bën që interesimi të jetë i jashtëzakonshëm për këtë shfaqje.
Mbi 150 artistë në skenë përçuan fuqishëm triumfet tonë që u duartrokitën për mbi 20 minuta, nga spektatorët e mrekulluar nga kjo ngjarje e rrallë.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëndi Amerikan në Bibliotekën Kombëtare, Gonxhja: Urë lidhëse midis kombeve tona
Artikulli tjetërBardhi për 2-vjetorin e luftës në Ukrainë: Dita të jemi bashkë në përgjigje ndaj antivlerave