Ballina Aktualitet

Blinken: Udhëtimi i afganëve drejt SHBA nuk do të ishte i mundur pa Shqipërinë

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi sot nga Tirana se udhëtimi i afganëve të arratisur nga Afganistani pasi në pushtet erdhën talibanët, nuk do ishte i mundur pa Shqipërinë.

Në fjalën e tij, në një takim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative të vendit mik dhe që sot luajnë një rol thelbësor në forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Blinken tha se udhëtimi i tyre për një jetë më të mirë drejt SHBA-së nuk do të ishte i mundur.

“Disa prej jush keni mirëpritur familjet afgane që janë arratisur nga talibanët dhe kjo tregon bujarinë e shqiptarëve dhe mirëpritjen. Para se të vija këtu u takova në ambasadën tonë me disa familje afgane që kanë ardhur nga Afganistani në Shqipëri dhe po presin të udhëtojnë drejt SHBA-së për një jetë të re. Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që ju po i prisni ato me krahët hapur, por edhe mënyra sesi po i mirëprisni ata, që është shumë e fuqishme”, tha Blinken.

Blinken ndau historinë e një familjeje afgane e cila ishte detyruar të largohej e strehohej në Shqipëri.

“Po dua t’ju them që ishte shumë emocionuese për mua që mes refugjatëve afganë ishin dy prindër, burrë e grua që kanë 5 fëmijë dhe secili nga këta fëmijë, ishin numri 1 në shkollë, në klasën e tyre dhe kur talibanët erdhën në fuqi, vajzat nuk mund të shkonin në shkollë, por sidoqoftë ato u munduan të gjenin zyra për t’u dhënë mësim vajzave nëpërmjet internetit, dhe vajzat e tyre binjake në moshën 14 vjeçe që kanë qenë këtu në Shqipëri për rreth 1 vit, ato gjatë kësaj kohe kanë mësuar anglisht në mënyrë në mënyrë rrjedhshme edhe kanë ide shumë të qarta për të ardhmen e tyre. Një nga motrat do të jetë në modë, tjetra do të jetë në biznes, edhe unë u dhashë një ide që ato mund të punojnë së bashku në biznesin e tyre për modën. Por ju mund të shikoni atë shpresën e jashtëzakonshme në sytë e tyre, shpresë që i është hequr nga talibani, por është ringjallur thjeshtë sepse kanë ardhur këtu në Shqipëri, në rrugën e tyre për në Amerikë. Edhe unë jam shumë mirënjohës për partneritetin tonë për të ndihmuar refugjatët nga Afganistani”, u shpreh Sekretari Blinken.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBlinken: SHBA-Shqipëri do ta bëjnë botën më të sigurtë dhe më të qëndrueshme
Artikulli tjetërVeliaj takon Sekretarin Blinken, e njeh me transformimin e Piramidës