Ballina Aktualitet

Operacioni “Tempulli”, Balla: Goditen 7 grupe kriminale, 273 persona në pranga

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, foto: Agim Dobi

TIRANË, 22 Janar/ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin “Tempulli 2”, gjatë të cilit janë arrestuar 273 persona nga 295 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria, ndërsa operacioni është në vijim. Nga operacioni i gjerë kundër trafikut të drogës, janë shkatërruar 7 grupe kriminale.

Në një prononcim për mediet, ministri i Brendshëm Taulant Balla përgëzoi Policinë për operacionin e zhvilluar.

“Dua ta përgëzoj Policinë e Shtetit, të gjitha drejtoritë vendore të policisë, të cilat nën koordinimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të Departamentit të Luftës Kundër Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme, kemi arritur të realizojmë një fazë të dytë të operacionit kombëtar “Tempulli””, u shpreh Balla.

“Tempulli 2”, vijoi ai, ka disa suksese duke veçuar faktin që ka qenë një operacion i madh në shkallë kombëtare. “Suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi pasur asnjë rrjedhje të informacionit dhe numri i madh i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga prokuroria janë realizuar të gjitha me sukses”, u shpreh ai.

Balla njoftoi se një pjesë e forcave të policisë janë në territor për të vazhduar më tej realizimin e këtij operacioni.

“Jo pa qëllim kemi zgjedhur të jemi pranë një shkolle të mesme, dhe të gjithë biem dakord, siç biem dakord me të gjithë prindërit dhe të gjithë banorët se na duhet domosdoshmërisht ta rrisim prezencën tonë në territor për të garantuar shkolla të sigurta. Paketa e sigurisë në shkolla është një nga sukseset tona të para, e cila do vazhdojë të konsolidohet”, tha Balla.

Balla vlerësoi faktin që edhe sasia e lëndëve narkotike të sekuestruara është shumë e madhe, krahasuar me pritshmëritë dhe ndërkohë, sipas tij, vazhdon puna për të intensifikuar rezultatin edhe për sa i përket një momenti tjetër që është lufta kundër armëmbajtjes pa leje. “Edhe gjatë këtij operacioni kemi një numër të konsiderueshëm armësh pa leje të sekuestruara”, tha Balla.

Balla u ndal edhe tek paketa e sigurisë në shkolla që siç tha ai do të kthehet e do të forcohet me ligj. “Dhe çdo lloj vepre kriminale që ndodh pranë shkollave, prandaj ne sot jemi këtu, dhe pikërisht bindja jonë se duhet ta forcojmë zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, me ligj. Po kështu dhe çdo lloj forme të armëmbajtjes pa leje. Dhe në kuadër të ndryshimeve ose Kodit të ri Penal, i cili tashmë është në një fazë hartimi ose përfundimi të hartimit dhe pritet të fillojë, edhe diskutimi publik.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNikolla pret ambasadorin e BE: Bashkëpunimi në Kuvend lehtëson reformat dhe integrimin
Artikulli tjetërFOKUS – BE parashtron strategjinë me dy shtete për t’i dhënë fund luftës në LM