Ballina Aktualitet

Nikolla pret ambasadorin e BE: Bashkëpunimi në Kuvend lehtëson reformat dhe integrimin

TIRANË, 22 Janar/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato.

Nikolla dhe ambasadori Gonzato diskutuan mbi arritjet dhe sfidat e integrimit europian të Shqipërisë, pas përfundimit të procesit screening.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i uroi ambasadorit Gonzato suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se, nën lidershipin e tij, bashkëpunimi i Kuvendit me delegacionin e BE-së në Tiranë dhe institucionet europiane do të vijë duke u rritur.

Nikolla vuri në dukje se “Kuvendi po punon për lehtësimin dhe forcimin e dialogut politik mes palëve, për të përballuar bashkërisht sfidat e integrimit europian, të aspekteve politike e teknike të procesit të negociatave. Bashkëpunimi mes grupeve parlamentare në Kuvend do të lehtësojë edhe avancimin dhe thellimin e reformave, modernizmin e procesit të ligjbërjes dhe rritjen e transparencës së veprimtarive parlamentare.”

Ambasadori Gonzato vlerësoi ecurinë shumë të mirë të procesit screening dhe performancën e lartë të institucioneve shqiptare në bashkëpunimin me institucionet e BE-së.

Nikolla dhe ambasadori Gonzato diskutuan edhe për bashkëpunimin e Kuvendit me Parlamentin Europian dhe institucionet e BE-së për modernizimin e shërbimeve parlamentare, për të përballuar më mirë sfidat e Kuvendit për thellimin e reformave dhe procesin e integrimit europian.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama ndan foton familjare nga takimi i Shkupit
Artikulli tjetërOperacioni “Tempulli”, Balla: Goditen 7 grupe kriminale, 273 persona në pranga