Ballina Ekonomi

“Lojërat e fatit”, Mete: Qasje për të shkuar drejt formalizimit, duhet të jetë i kujdesshëm dhe i kontrolluar

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin mete bëri të ditur sot se diskutimet për ndryshimet e reja në ligjin “Për lojërat e fatit”, që i hapin rrugë rikthimit të basteve online po vijojnë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Sipas tij, qasja më efektive ndaj informalitetit është formalizimi, që duhet të jetë i kujdesshëm, i kontrolluar dhe transparent.

“Është e rëndësishme të kuptohet që qasja më efektive ndaj informalitetit është formalizimi. Një formalizim që duhet të jetë i kujdesshëm i kontrolluar dhe transparent. Besoj që ligji edhe pas diskutimeve në komision ka disa aspekte që shkojnë drejt kësaj qasjeje, duke pasur parasysh që të gjitha pagesat planifikohen të jenë vetëm përmes sistemit të pagesave. Bëhet fjalë vetëm për lojëra online, dixhitale, të kontrolluara. Janë shtrënguar kërkesat që të ketë operatorë me eksperiencë ndërkombëtare në vendet e BE-së dhe OECD-së, pra në vende të zhvilluara. Është diskutuar të ketë element gare, pasi numri i licencave është i kufizuar, në mënyrë që të jetë sa më transparente dhe rigoroze qasja në këtë drejtim”, deklaroi ministri Mete.

Sipas tij, të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për arsim, inovacion dhe sport.

“Besoj se diskutimet në komision kanë qenë të shëndetshme dhe në frymën e përmirësimit të ligjit”, shtoi ai.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi për konsultim publik në muajin prill të vitit të shkuar ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”.

Qëllimi kryesor i projektligjit është rikthimi i kategorisë së basteve sportive por tashmë vetëm në formën online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive.

Më 31 dhjetor 2018 në të gjithë vendin u mbyllën kazinotë elektronike, bastet sportive, bastet për garat në pistë, sallat e bingove dhe lojërat e fatit elektronike në distancë, pra online.

Deri në fund të viti 2018 (vit kur sipas Ligjit nr. 75/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar u ndalua ushtrimi i veprimtarisë) kanë ushtruar veprimtarinë në kategorinë e “basteve sportive” 3 (tre) kompani të cilat ishin licencuar për një afat 10 vjeçar në këtë kategori loje.

Kompanitë e basteve sportive e ushtronin aktivitetin në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në pika sekondare të ushtrimit të aktivitetit, në njësi tregtare kryesisht Bar Kafe, pasi pajiseshin me miratim nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit si dhe kanë pasur detyrimin të kishin minimalisht një të punësuar për çdo pikë sekondare të ushtrimit të aktivitetit dhe ta deklaronte pranë AMLF-së.

Sipas të dhënave të AMLF numri i pikave sekondare të ushtrimit të aktivitetit për kategorinë e Basteve Sportive në vitin 2018 ka qenë 4214 në te gjithë territorin e vendit, ndërsa numri i të punësuarve për këtë kategori ka qenë 6700 punonjës.

Edhe pse aktiviteti i basteve sportive u ndalua me ligj ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në të zezë.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZbulimi i arratisjes në burgun e Fierit, Balla: U parandalua një ngjarje e rëndë
Artikulli tjetërApeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-prefektin e Kukësit