TIRANË, 4 janar/ATSH/ Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzon kërkesën e Monika Kryemadhit, ish Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim për heqjen e sekuestros së një telefoni.
Deputetja e Partisë së Lirisë Kryemadhi, kishte ankimuar vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit. SPAK nga krahu tjetër vlerëson se telefoni i Kryemadhit mund të përmbaj informacione që i shërbejnë hetimit të nisur nga ky institucion ndaj Kryemadhit.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 04.01.2024, ora 09:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 189 akti, datë 27.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses Monika Kryemadhi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka rrëzuar kërkesën e shtetases Monika Kryemadhi për heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit të sekuestruar (telefon i markës Iphone)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”, njoftohet GJKKO e Apelit, duke lënë telefonin nën sekuestro.
Bëhet fjalë për një telefon që është sekuestruar me vendimin e datës 7 dhjetor nga Gjykata e Shkallës së Parë, pas kërkesës së bërë nga SPAK. Sekuestrimi i telefonit të Kryemadhit vjen në kuadër të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ndaj Kryemadhit.























