Ballina Flash

Kumbaro: Shkurtohen procedurat për aplikimet që ndjekin subjektet private në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rishikimin e  rregullave dhe procedurave për aplikimet që ndjekin subjektet private në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

“Ky vendim është në frymën e një tjetër iniciative që qeveria shqiptare ka marrë prej vitesh që quhet procesi i derregullimit. Në këtë kontest Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është një nga procedurat që prek në masën 90% të gjitha subjektet që nisin një aktivitet ekonomik që nga ato me karakter industrial, turistik dhe deri tek ndërtimi, të cilat në fillim të punës së tyre si proces i marrjes së lejeve kanë edhe VNM-në”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro pas mbledhjes së qeverisë.

Kumbaro u shpreh se “nga e gjithë zbatueshmëria e mbikëqyrja e këtij procesi, por duke dëgjuar edhe mendimin e sektorit privat ka më shumë dokumentacion dhe në paralel me të gjithë procesin e digjitalizimit që kemi bërë në shërbimet publike, një pjesë e këtyre dokumenteve nuk do i kërkohen më subjektit publik apo privat, por do merren nga vetë ekspertët e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe agjencive të varësisë, Agjencisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura”.

“Në këtë mënyrë shkurtojmë kohën e procedurës në fjalë nga 60 ditë në 25 ditë dhe nga 23 dokumente që duheshin në sistemin online të aplikimit shkon në 5 prej tyre”, shtoi ajo.

Ministrja Kumbaro tha se “është një procedurë që i vjen në ndihmë sektorit privat, por edhe atij publik sa herë që bëhet fjalë për subjekte zhvillimore”.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNafta për bujqësinë, Denaj: Shtyhet me 6 muaj procesi i disbursimit për fermerët
Artikulli tjetërDrejtori për zhvillimin e akuakulturës, Denaj: Objektiv 30 mijë ton eksporte peshkore në 2030