TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dëshmoi sot, para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit si person nën hetim, në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Ai u pyet për mbi 9 orë në SPAK për këtë çështje.
Beqaj pas daljes nga SPAK, u shpreh për mediet se, “patëm një seancë pyetjesh me OPGJ-të. Kryesisht në ato gjëra që jam pyetur më parë edhe në korrik 2022 në cilësinë e personit që kam dijeni për ngjarjen në atë kohë”.
“Përveç përgjigjeve, bashkë me avokatin i kërkuam që të kryhen dhe disa veprime të tjera hetimore shtesë në gjykimin tim. Siç ju e dini në dosje ka disa referenca të akteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Akte të cilat së pari janë vënë në dispozicion pjesërisht, por edhe për faktin që janë audituar dhe veprime e mia, por nga KLSH gjatë kohës së auditimit nuk kam qenë ministër dhe nuk jam thirrur asnjëherë nga audituesit”, deklaroi Beqaj.























