TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq të pandehurin Orges Xhelili për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi plagosi me armë të ftohtë ish-kryetarin e bashkisë Divjakë Fredi Kokoneshi dhe shoferin e tij.
Në një njoftim thuhet se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal Nr. 694, viti 2022, ka dërguar në gjyq të pandehurin O. Xh., i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas, për motive të dobëta ka goditur me armë të ftohtë ish-kryetarin e bashkisë Divjakë shtetasin F.K., duke i sjellë dëmtime që kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit.
I pandehuri O. Xh., në të njëjtën kohë ka goditur shtetasin G.B., (shoferi i shtetasit F.K.), i cili ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin dhe nga goditja ai ka marrë dëmtime, të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit.
/r.e/























