TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, deputeti Sali Berisha foli sot për gazetarët lidhur me kërkesën e paraqitur nga GJKKO në Kuvend pas akuzës së SPAK për “korrupsion pasiv” lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Në një konferencë për mediet, Berisha tha se nëse plotësohen kushtet, që janë përjashtimi nga çështja e gjyqtares Irena Gjoka, heqja e masës që e ndalon të lëvizë jashtë shtetit dhe të pyetet Kuvendi, atëherë do tregojë se është i gatshëm që ta firmosë vetë dokumentin dhe do të paraqitet në gjykatë.
“Të largohet për konflikt interesi gjykatësja, të sillet në parlament kërkesa për detyrimin tim për t’u paraqitur dhe heqja e të drejtës për të dalë jashtë shtetit dhe unë do të votojë vetë për to, por unë pse ka gjykatës që nuk kanë as ligj e as moral, unë nuk mund të shkel as Kushtetutën dhe as ligjet e vendit, kjo nuk synon Berishën, por gjëmën për çdo shqiptar, kur thyhet ligji për kryetarin e opozitës, ç’mund të pësojë një qytetar”, tha ai.
Berisha tha se gjyqtarja Irena Gjoka është shkarkuar nga detyra në 1996 gjë të cilën ajo nuk e ka deklaruar.
“Gjykatësja nuk duhet të fshihet pas krimit të saj, por deklarojë në emër të detyrimit ligjor se është shkarkuar apo jo në 1996 për shkelje të lënë ligji dhe korrupsion”, deklaroi Berisha, duke shtuar se ajo u ka thënë avokatëve se “nuk jap dorëheqje, se nuk më sollët prova që unë jam shkarkuar”.
“Ajo nuk ka ndërgjegje, për ato që ka bërë dhe tani mbahet me premtimin që i ka dhënë Edi Ramës. Kam qenë kryeministër e president dhe ata që kanë punuar me mua kanë pasur një porosi, mos prano asgjë në kundërshtim me ligjin”, tha Berisha.
I pyetur lidhur me vendimin e një dite më parë nga Gjykata e Strasburgut për Aleks Nikën, Berisha tha se “jam 100 për qind dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi”.
“Nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi. Ky proces, në masën 80 për qind është hetuar pasi Sali Berisha ka ikur nga pushteti. Dhe është hetuar nga Ina Rama, një militante e verbër e PS, një person me kredencialet më të ulëta që mund të ketë një njeri”, tha Berisha.
/r.e/























