Ballina Aktualitet

Spiropali: Berisha frymëzues i dhunës në Kuvend, të përballet me akuzat e SPAK

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot përmes rrjeteve sociale në lidhje me situatën e përplasjeve në seancën plenare të Kuvendit, duke deklaruar se Berisha synon të marrë peng Kuvendin.

“Tymuesen e mbajti në dorë Salianji, por tymi dilte nga koka e Saliut! Njeriu që ka ndezur zjarr nëpër Shqipëri për hir të jorganit vetjak, solli tymin në sallën e seancave plenare si kërcënim për çfarë do të donte të bënte sërish për të gjithë vendin”, shkruan Spiropali.

“Sali Berisha është në dyert e SPAK-ut. Kjo është arsyeja, pse Doktori i ka shndërruar dhe do të vazhdojë t’i mbajë të shndërruar deputetët e tij në një togë pushtuese të institucionit duke kërkuar ta marrë atë peng, duke penguar zhvillimin normal të veprimtarisë së tij në kundërshtim me çdo ligj, kod e moral”, shprehet Spiropali.

Sipas saj, “Berisha është frymëzuesi i sulmit të së mërkurës mbi dyert e Kryesisë së Kuvendit dhe bllokimin e veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe sulmit bis në sallën e seancave plenare. Duke shkelmuar ato dyer, ai kërkon të shqyejë dyert në të cilat normalisht do të duhet të shkojë si çdo qytetar i këtij vendi, për të ballafaquar të vërtetën e tij vetjake me akuzën penale publike”.

“Një akuzë, e cila jo për koincidencë, ngjan me vendimin fatal të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili konsideronte se në cilësinë e kryeministrit, Berisha ka pasuruar familjen e tij dhe se me retorikën e tij kishte shmangur llogaridhënien përpara drejtësisë. Kështu ka firmosur Sekretari Blinken dy vjet më parë në Uashington, dhe kështu dyshon SPAK-u në Tiranë dy vjet më pas për atë çfarë Berisha ish-kryeministër ka bërë dikur në pjesën e parë dhe po vazhdon ta bëjë sot e gjithë ditën në pjesën e saj të dytë”, nënvizon Spiropali.

Për Spiropalin, e vetmja rrugë që Berisha të dali nga kjo rrugë është të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Edhe pse jam pjesë e pamunguar e akuzës politike dhe publike mbi të, ndjej keqardhje për Berishën si individ, por besoj fort se e vetmja mënyrë e tij për të dalë ai si politikan nga kjo situatë, është ballafaqimi me akuzën. Ai që është sjellë për tre dekada si burri i fortë i politikës, kryeakuzatori politik i gjithkujt, duhet të gjejë forcën për të ballafaquar veten me akuzën publike. Nëse zgjedh të vazhdojë revolucionin e karrigeve, në rastin më të keq, ai mund të shkaktojë të tjera fraktura në kohë, por fati i tij është i ndarë prej kohësh me fatin e vendit. Sa më shpejt ta kuptojë një gjë të tillë edhe toga e tij e sulmit me imunitet parlamentar, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Për Berishën të parin. Duke kursyer kështu njolla të tjera në duart e deputetëve, të cilat nuk mund të fshihen me delikatesën e shamive prej letre”, përfundon reagimin e saj ministrja Spiropali.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTKOB ofron mundësi të barabarta për spektatorët, shpjegim zanor për të verbërit
Artikulli tjetërAkuzohet për korrupsion në zgjedhje, SPAK çon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Memolla