Ballina Flash

Pranga 2 kinezëve, tentuan të kalojnë me pasaporta false në Rinas

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar dy shtetas kinezë të cilët u paraqitën në dalje të kufirit me pasaporta false të Koresë së Jugut.

Policia e Tiranës njofton se arrestimi i tyre u realizua nga puna e inteligjencës policore, ndërsa janë janë sekuestruar 2 pasaportat kineze që i’u gjetën këtyre shtetasve gjatë kontrollit fizik, dhe 2 pasaportat false.

“Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i tentativës për të kaluar kufirin, me pasaportë të falsifikuar. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë arrestuar në flagrancë shtetasit kinezë: J. Sh., 27 vjeç dhe Ch. Ch., 52 vjeç”, njofton Policia.

“Në dalje të Republikës së Shqipërisë, secili nga këta shtetas ka paraqitur pasaportë të Koresë së Jugut, të cilat pas verifikimeve rezultuan të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu janë gjetur pasaportat e tyre kineze, me të njëjtat gjeneralitete si pasaportat e falsifikuara. 4 pasaportat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, bën të ditur Policia.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim”, përfundon njoftimi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIZRAEL – Netanyahu: Armëpushimi do të ishte dorëzim ndaj Hamasit
Artikulli tjetërVeliaj: Abone falas dhe gjysma e tarifës së konviktit me Kartën e Studentit