Ballina Aktualitet

Kultivim kanabisi me llamba, 3 në pranga në Shkodër

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi se në kuadër të luftës ndaj lëndëve narkotike zbuloi një shtëpi bari në fshatin Trush, duke arrestuar autorët e dyshuar.

Përmes një deklarate për mediet, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues i Parë Edmond Sulaj dha detaje mbi operacionin policor me tre të arrestuar, ndërsa u sekuestruan dhe një seri armësh e municionesh.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se në fshatin Trush i Poshtëm, njësia administrative Bushat, një banesë e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Trushi””, tha Sulaj.

“Gjatë operacionit u zbulua se banesa e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike. Në pjesën hyrëse të banesës dhe në katër dhomat e saj u gjetën dhjetëra bimë narkotike të kultivuara në vazo, me anë të llambave elektrike. Nga këqyrja e ambienteve të banesës, përveç bimëve narkotike të kultivuara në vazo, u konstatua një sistem i përparuar elektrik dhe kondicionimi, i cili ishte i montuar në të katërta dhomat e banesës dhe në hyrje të saj”, bëri me dije kreu i Policisë së Shkodrës.

“Në momentin e ndërhyrjes nga ana e shërbimeve policore, në banesën e përshtatur si laborator, u kap në flagrancë duke u kujdesuar për bimët narkotike, shtetasi Lorenc Trieshi, 34 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.  Po nga këqyrja e banesës u konstatua se kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që shërbente për furnizimin e pajisjeve elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 82 llamba dhe aparate të ndryshme elektrike, 5 aspiratorë, si dhe u morën për ekspertim 123 bimë narkotike që ishin kultivuar në vazo”, vijoi njoftimi i Policisë.

“Gjithashtu, nga kontrolli përreth banesës, në një ambient tjetër të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, u gjetën 2 mjete lundruese tip “Jet Ski”, pa dokumentacion.  Nga veprimet e shpejta në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht shtetasit: Dedë Laca, 64 vjeç dhe djali i tij Anton Laca, 36 vjeç, të cilët u kapën menjëherë dhe u ndaluan nga shërbimet e Policisë”, bëri të ditur ai.

Sipas Sulajt, “nga hetimet rezultoi se shtetasi i kapur në flagrancë në banesën e përshtatur, Lorenc Trieshi, është nipi i shtetasit Dedë Laca. Në përfundim të hetimeve paraprake u bë arrestimi në flagrancë i këtyre 3 shtetasve, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim. Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov me 2 karikatorë me fishekë, 1 armë gjahu sportive, 2 automjete, tip “Range Rover” dhe tip “Benz”, prodhime të viteve të fundit”.

“Në vijim të operacionit u shoqëruan në ambientet e Policisë, kryetari i fshatit Trush i Poshtëm, shtetasi K. D., 38 vjeç, lexuesi i matësve elektrikë në zonë, shtetasi Z. N., 26 vjeç, si dhe elektricisti i zonës, shtetasi F. H., 29 vjeç, ndaj të cilëve u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, thekson Sulaj.

Kreu i Policisë së Shkodrës më tej,bëri dhe një rezyme të luftës ndaj narkotikëve në qytetin e Shkodrës.

“Gjatë këtij viti, u asgjësuan 158 621 bimë narkotike të kultivuara në tokë dhe 41 883 fidanë të kultivuar në kubikë, të cilët janë konstatuar që në fazën fillestare. Për këto raste janë arrestuar dhe proceduar penalisht 74 autorë”, tha Sulaj.

Kreu i Policisë së Shkodrës dha detaje dhe mbi vijimin e zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në shkolla. Në këtë kuadër, Sulaj bëri me dije se janë ndaluar 2 nxënës në dy shkolla të qytetit të Shkodrës që shpërndanin lëndë narkotike në këto shkolla, si dhe mbanin me vete mjete prerëse.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Shteti Islamik merr përgjegjësinë për vrasjen e suedezëve
Artikulli tjetërTiranë, 14 të arrestuar gjatë javës për shkelje rrugore