TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Partia e Lirisë i kërkoi SPAK të marrë në hetim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për çështjen e inceneratorit të Tiranës që është nën hetim nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, në një deklaratë për mediet tha se Veliaj është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës.
“Inceneratori i Tiranës i sekuestruar nga SPAK si provë krimi ka një pronar të vetëm kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Erion Veliaj me firmën e tij në kundërshtim me ligjin duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak i hapi rrugë inceneratorit që nuk ekziston i cili gllabëron çdo ditë para nga qytetarët e Tiranës. E gjithë Shqipëria e di, se Erion Veliaj është përgjegjës dhe përfitues kryesor i krimit të ndodhur me inceneratorin e Tiranës”, tha ai.
Braimllari tha se firma e Erion Veliajt në kundërshtim me ligjin, duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak, ndryshoi fatin e koncesionit të inceneratorit duke i dhënë dritë jeshile miratimit të tij.
/r.e/























