Ballina Aktualitet

U merrte para bizneseve për mos t’i gjobitur, SPAK dërgon për gjykim ish-inspektorin e ISHSH

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit përfundojnë hetimet dhe dërgojnë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dosjen  në ngarkim të ish Inspektorit pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Marvin Mersini.

Ai akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme është informuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që i pandehuri Marvin Mersini duke qenë me detyrën e Inspektorit pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, duke mos qenë i planizuar që të vente për kontroll tek subjekte të ndryshëm tregtarë, ka vajtur dhe ka ushtruar presion pranë një subjekti tregtar në qytetin e Tiranës, duke pretenduar se nuk kishte liçensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Më tej, i pandehuri i ka thënë administratorit të subjektit tregtar se “një problem i tillë” mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës prej 500.000 (pesëqind mijë) lekë, por me kusht që një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve, ose në të kundërt do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likuidimin e masës administrative.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i të pandehurit Marvin Mersini, me detyrë Inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, të cilit në mjetin me të cilin po udhëtonte, iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqind mijë) lekësh, e përftuar prej tij në mënyrë të paligjshme.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKreu i KLP: Kuadri ligjor për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i plotë
Artikulli tjetër​Kurti: Serbia e kuptoi që bandat terroriste s’kanë shans me policinë tonë