Ballina Aktualitet

AMA i tërheq vëmendjen tri medieve, Krasniqi: Për shkelje të përsëritura do të ketë procedim

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka tërhequr vëmendjen tre Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) për shkak se janë evidnetuar duke reklamuar produkte brenda edicioneve informative dhe në emisione të tjera, pjesë e programacioneve të tyre, në shkelje të ligjit.

Armela Krasniqi, drejtuese e AMA-s, kujton se përsëritja e shkeljeve do të sjellë dhe procedim për mediet e evidentuara në shkelje.

“Përtej konkurrencës apo luftës për audiencë e numër të lartë të reklamave dhe komunikimeve tregtare, është e rëndësishme që OSHMA-të të kuptojnë se respektimi i ligjit është i domosdoshëm për vendosjen e rregullave dhe garës së ndershme në tregun mediatik, gjë që i shërben, mbi të gjitha, interesit të audiencës që ata i drejtohen”, shkruan Krasniqi në rrjetet sociale.

“Transmetimi i reklamave dhe komunikimeve tregtare në kundërshtim me përcaktimet ligjore kanë qenë shkeljet e konstatuara nga televizionet, gjatë javës që lamë pas”, vijon Krasniqi.

“Nga monitorimet e kryera nga ekipi i Drejtorisë së Monitorimit dhe Analizës ka rezultuar se 3 OSHMA kanë reklamuar produkte brenda edicioneve informative dhe në emisione të tjera, pjesë e programacioneve të tyre, në shkelje të ligjit. Për këtë arsye, vendimi i AMA-s është Tërheqja e Vëmendjes për këto OSHMA, me paralajmërimin që, në rast të shkeljeve të përsëritura, do të fillohet procedimi, sipas legjislacionit në fuqi”, thekson Krasniqi.

Kreu i AMA-s kujton se “Ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ka të përcaktuara qartë rregullat e transmetimit të reklamave dhe komunikimeve tregtare në mediet audio dhe audiovizive, prandaj mbetemi besimplotë në zbatimin e tij në të ardhmen”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Tirana” fiton 2-0 në Kukës dhe “blindon” kreun
Artikulli tjetërVeliaj në SHBA, merr pjesë në Samitin “Strong Cities”