Ballina Aktualitet

Berisha: Aksioni i SPAK u dekonspirua

TIRANË, 28 korrik/ ATSH/ Kreu i Grupit të Rithemelimi në Partinë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat akuzon policinë se ka dekonspiruar operacionin e SPAK, për arrestimin disa zyrtarëve të lartë të policisë, kreut të prokurorisë së Kukësit… etj.

Sipas Berishës, nga 15 mandate u ekzekutuan vetëm 4.

“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet, edhe 3 dhe 5 milionë euro. Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejnerë të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi”, deklaroi Berisha.

“Të dekonspirosh në një operacion, mbi 72 për qind të mandatarresteve, je 7 herë kriminel më keq se ata që i informon, pavarësisht nga krimi që mund të kenë kryer.

Ky operacion, për të cilin duhet të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Europolit, në veçanti organeve ligjzbatuese të Belgjikës dhe Francës, për dosjet dhe materialet që kanë sjellë nga deshifrimet e bisedave, videove dhe çdo gjë tjetër që është kapur në telefonat SKY, EÇ dhe EncroChat. Duhet të falënderoj gjithashtu çdo zyrtar shqiptar, që përsëri ka kurajën, integritetin për të zbatuar ligjin kundër kriminelëve në pushtet dhe atyre të lidhur me pushtetin”, deklaroi Berisha.

Berisha vijoi edhe më tej me akuzat e tij.

“Të gjitha fijet e këtij operacioni të çojnë tek Edi Rama dhe Taulant Balla. Ju konstatuat se dje gjithë ditën, kishte dy njoftime, njëri se u arrestuan 6, në një kohë kur kishte vetëm katër emra. Nuk dilnin me 4, se do kuptohej se dështimi ishte total. Së dyti, të tjerët ia kanë mbathur me kohë, sipas TIMS, dhe mjerisht keqpërdorin gazetarët në mënyrën më të pandershme, i dezinformonin”, tha Berisha.

“Se ikën para apo prapa, ata të gjithë ishin në Shqipëri. Njësoj siç u informua kryedezertori Arben Ahmetaj, u njoftuan edhe këta. Këtu jemi në një praktikë të zakonshme të këtij pushteti krimi për të njoftuar kriminelët që të largohen”, vijoi Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasada amerikane uron 101-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri
Artikulli tjetërBashkia pastron Liqenin e Tiranës me makineri të specializuar