Ballina Aktualitet

“Asnjë tolerim për shkelësit” Balla: Lufta ndaj kanabisit prioritet, AMP të godas edhe nivelet e larta!

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Dy ditë pasi mori detyrën e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla mblodhi strukturat drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë.

Në fjalën e mbajtur prej tij sot, Balla vuri theksin tek prioritet e punës së Policisë së Shtetit. Ai garantoi se nuk do të ketë ndryshime në kupolën e saj, teksa paralajmëroi se kush shkel besimin, do të ndëshkohet.

“Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. Ju siguroj për respektin tim, për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërinë time që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën”, tha Balla.

“Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat. Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol”, shtoi ai.

“Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i mirënjohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para”, vijoi Balla.

Sipas tij, “e sotmja s’ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim”.

“Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka”, paralajmëroi ministri i Brendshëm.

Balla pati një mesazh edhe për kolegët tij deputetë, si dhe për vartësit e tij.

“Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. Respekt maksimal në komunikim me këdo, mirësjellje dhe durim për këdo, po përzierje të kujtdo në detyrën tuaj në asnjë rast apo mënyrë”, paralajmëroi Balla.

“Ky është standardi i kërkuar nga Kryeministri qysh në mbledhjen e parë të grupit parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit, ky është standardi i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standard që duhet aplikuar 100 % dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë ceduar nga ky standard, unë nuk do të cedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për cedim ndaj ndikimeve nga jashtë”, vijoi ministri i Brendshëm.

Lufta ndaj kanabisit ishte një tjetër pikë ku Balla vuri theksin, duke e cilësuar si prioritet.

“E kam vlerësuar si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike, por s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. Ndaj ju lutem, mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet pa një polic që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur”, tha ai.

“Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveç se po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral”, shton Balla.

“Brenda 10 ditësh nga sot Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit do t’i lexohet çdo efektivi të policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri”, tha Balla.

“Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe Komisariati Digjital do të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë, ai aplikacion duhet të jetë porta ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, por edhe të marrë përgjigje të shpejtë, jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë. Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën e-Albania, në procesin e Integrimit Europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit është kthyer në bishtin e fundit të kavallit. Të marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar, dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe në Gjermani, ku dihet mirë se sa e vështirë është të kalosh provën e besueshmërisë teknike”, vijoi Kreu i Ministrisë së Brendshme.

“Policimi në komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qendrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel te ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetëm për të vënë gjoba, apo për tu dukur se është thjesht aty por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla që mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm, pati dhe një mesazh për drejtuesit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari, brenda radhëve tona. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj. Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë, por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!”, përfundoi Balla.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDPSHTRR: 30 ditë afat për kalimin e pronësisë së mjeteve pa penalitet
Artikulli tjetërFesta e Shën Marenës, ditë pelegrinazhi fetar, kulturor e turistik