Ballina Flash

Festa e Shën Marenës, ditë pelegrinazhi fetar, kulturor e turistik

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Sot në kalendarin e besimit ortodoks është festa e Shën Marenës, një festë e rëndësishme sidomos për të krishterët e zonave të Pogradecit, Korçës, Librazhdit dhe Elbasanit.

Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, ndodhen në veri të fshatit Llëngë, Pogradec. Ato konsiderohen ndër destinacionet kryesore të karakterit fetar, kulturor dhe turistik të Pogradecit.

Kisha është një ndërtesë e vogël afërsisht 8-12 metra e gjatë. Altari është i ndarë nga pjesa qëndrore e kishës me një ikonostas druri 6 metra të gjerë dhe 4 metra të lartë. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut.

Të vendosura mes gjelbërimit të pyjeve, Kisha dhe manastiri i Shën Marenës, mbrohen natyrshëm nga malet dhe grykat e thella, nëpër të cilat vërshojnë përrenjtë e Shkumbinit.

Kisha e Shën Marenës nuk vizitohet vetëm më 17 korrik. Pelegrinazhi drejt saj kryhet edhe në datën 30 korrik, sipas kalendarit të vjetër dhe sipas një tradite shumëvjeçare. Kësaj kishe besimtarët ortodoksë i atribuojnë mrekulli. Sipas legjendës, gurët e shpellës pranë manastirit e kishës, sjellin mbarësi nëse mbahen në shtëpi. Ndaj historikisht banorët e kësaj treve kanë mbajtur në ambiente familjare gurë të marrë në këtë vend.

Kisha e rindërtuar në mesin e viteve 1700, gjendet 35 kilometra larg qytetit të Pogradecit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Asnjë tolerim për shkelësit” Balla: Lufta ndaj kanabisit prioritet, AMP të godas edhe nivelet e larta!
Artikulli tjetërPeleshi: Trupat e emergjencës civile, vullnet të pashembullt për të ndihmuar komunitetin