Ballina Ekonomi

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, miraton ndryshimet në ligjin “Për investimet strategjike”

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Komisioni i përhershëm i Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot në unanimitet nismën e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për ndryshime në ligjin “Për investimet strategjike”.

Ndryshimet në ligjin “Për investimet strategjike” të propozuara nga Tabaku parashikojnë që asnjë nga kërkesat e paraqitura nga subjektet pas datës 1 janar 2023 të mos merren parasysh, pasi siç argumenton ajo në relacionin e pr/ligjit, “megjithëse qëllimi i këtij ligji, pra mbështetja dhe nxitja e investimeve, vendase dhe të huaja, në sektorët strategjikë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ishte pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime individëve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste”.

Tabaku propozoi që çdo projekt i paraqitur pas datës 1 janar 2023 të refuzohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të lnvestimeve.

E pranishme në punimet e komisionit, deputetja e opozitës Jorida Tabaku tha se, nisma  përmbush një nga prioritetet kyç të qeverisë shqiptare. Ajo vuri në dukje se, çështja e investitorit strategjik është çështje e ndjeshme, në lidhje me shumë procedura që kanë ngritur jo pak hije dyshimi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Festa e Alpeve”, promovim i pasurive natyrore e kulturore
Artikulli tjetërSegmenti i dytë i aksit Palasë – Dhërmi hapet brenda pak ditësh