Ballina Flash

“Festa e Alpeve”, promovim i pasurive natyrore e kulturore

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në Theth u zhvillua të dielën “Festa e Alpeve”, një organizim i bashkisë Shkodër dhe shoqatës jofitimprurëse “Well Point”.

Shfaqjet e grupeve artistike nga trevat e veriut, promovimi i pasurive natyrore, kulturore e historike të zonës përmes panaireve, si ai i xhubletës, artizanatit e kulinarisë, si dhe guidat në “Kullën e ngujimit”, tek ujëvara e Grunasit e kanionet e Thethit, ishin pjesë e axhendës.

I pranishëm në këtë festë ishte nënkryetari i bashkisë Shkodër, Rudin Beka, i cili siguroi për angazhimin maksimal të bashkisë për përmirësimin e kushteve me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Theth.

Zgjidhja e problemit të furnizimit me energji elektrike dhe aksionet e pastrimit, të realizuara në tri javët e fundit, Beka tha se ishin pjesë e planit të emergjencës, ndërsa prezantoi disa nga projektet në planin afatmesëm.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetaj duhet përshëndetur, drejtësia të shkojë deri në fund
Artikulli tjetërKomisioni për Veprimtaritë Prodhuese, miraton ndryshimet në ligjin “Për investimet strategjike”