Ballina Flash

Ndotja akustike, procedohen menaxherët e tre lokaleve

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Policia e Vlorës njoftoi sot se ka nisur procedim penal ndaj menaxherëve të tre lokaleve. Shkak i procedimit u bë fakti se në subjektet e drejtuara prej tyre u konstatua mbajtja e muzikës me volum të lartë përtej orarit të lejuar, duke shqetësuar pushuesit.

Policia e Vlorës, në njoftimin e shpërndarë për mediet, bëri të ditur se shërbimet e komisariateve të Policisë të Sarandës, si rezultat i kontrolleve gjatë natës, për parandalimin e shqetësimit të qytetarëve dhe pushuesve, nga ndotja akustike që vjen si pasojë e muzikës së lartë në subjekte të ndryshme argëtimi, kanë konstatuar 3 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

“Në 3 lokale, në Sarandë dhe në Ksamil, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë në tejkalim të orarit të përcaktuar. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për 3 menaxherët e këtyre subjekteve, shtetasit E. M., 29 vjeç, A. B., 18 vjeç. dhe Th. P., 44 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për të treja rastet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjeneronin muzikën”, njofton Policia e Vlorës.

Policia e qytetit bregdetar bëri të ditur gjithashtu se, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve apo hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat e parashikuara për ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të paligjshmërive në këtë fushë, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVILNIUS – Vendet baltike: Gjatë samitit të NATO-s do të flasim me një zë
Artikulli tjetërTaksa e re e pronës parashikohet të nisë zbatimin në 2026-ën