TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se asnjë zhvillim nuk mund të ketë në marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë nëse nuk lirohen 3 policët që po mbahen peng në Serbi, me pretendimin e ngritur nga ky shtet se kanë kaluar vijën kufitare.
Në një konferencë për mediet nga Kryeministria, Rama tha se këtë qëndrim ua kishte bërë të qartë edhe ndërkombëtarëve dhe se ai mbështeste plotësisht kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në këtë pikë.
“Edhe aleatëve dhe partnerëve tanë ua kam bërë të qartë se pa u liruar 3 policët është e kotë që diskutojmë çështje të tjera. Mund të bëhen gjëra formale e të deklarohet se folëm, por nuk mund të bëhet dot asgjë. Unë nuk jam i ëmbël me Albinin, por në të këtë pikë do të bëja absolutisht të njëjtën gjë. Pra, pa u liruar tre policët nuk do të bëja asgjë. Është e papranueshme. Nuk janë tre njerëz që i kanë kapur me pretendimin se kanë bërë krime, siç është rasti i atyre që janë arrestuar në Kosovë. Janë 3 efektivë policie që janë kapur se kanë kaluar një vijë kufiri, që është e paqartë se ku ndodhet”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama i pyetur se si do të vijonte marrëdhënia me Serbinë pas kësaj situate, tha se e vetmja marrëdhënie me Serbinë në këto momente është për këtë çështje.
“Kjo ndikon në marrëdhëniet tona dhe kjo tregon, sipas nesh, se Serbia duhet të angazhohet shumë më seriozisht në marrëdhënien me ne. Janë tre njerëz që mbahen atje nga një shtet. Dhe mbulohet kjo me arsyetime se u arrestua ky apo ai në Veri të Kosovës. Nuk kanë lidhje këto gjëra. Një shtet demokratik, edhe sikur të jenë të vërteta ato që thuhen për arrestimet në Veriun e Kosovës nga forcat legjitime në Kosovë, nuk reagon duke bërë simetri. Pse, çfarë janë, banda? Shtetet demokratike respektojnë të drejtat e njerëzve, pavarësisht se të drejtat e njerëzve të vet, diku tjetër, në një shtet tjetër, mund të shkelen. Pretendimet që ka Serbia në Kosovë ka ku t’i adresojë, t’i adresojë tek ato mekanizma që janë atje për të monitoruar situatën”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se ishte aktiv jo vetëm në një kanal, por në disa kanale për lirimin e tre policëve.
“Por ndërkohë as nuk diskutohet se sa kohë ata njerëz të jenë atje, marrëdhëniet tona janë pa asnjë gjë të re, përkundrazi. Marrëdhëniet tona me Serbinë, sot janë vetëm për këtë punë. Nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër, për asnjë çështje tjetër”, theksoi ai.
Kryeministri u shpreh se Serbia nuk ka asnjë lloj përfitimi, as në aspektin më cinik, t’i mbajë tre policët në burg.
“Asnjë lloj përfitimi nuk ka, as në aspektin më cinik duke mbajtur 3 efektivë policie në burg për shkelje kufiri, nëse e kanë shkelur. Nuk po i hyj argumentit që kjo edhe mund të mos ketë ndodhur, për sa kohë që KFOR-i nuk ka pasur një pozicion të qartë në këtë pikë dhe në njëfarë mënyre ka fajësuar dy palët. Pastaj Serbia nuk e njeh fare atë kufi, apo po njeh shtetin e Kosovës me këtë rast, dhe kufirin. Kjo është një lajthitje shtetërore, mendoj unë. Dhe nuk bëhet fjalë për të pasur asnjë zhvillim tjetër në marrëdhëniet tona, pa u zgjidhur këto. Nuk është një kërcënim, është thjeshtë pasojë“, vuri në dukje Kryeministri.
/r.e/























