Ballina Aktualitet

Xhixho: PL mbështet protestën e studentëve të mjekësisë

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho mbështeti sot protestën e studentëve të mjekësisë.

Në një konferencë për mediet, Xhixho u shpreh se, “studentët e mjekësisë janë në të drejtën e tyre për të kundërshtuar pseudomarrëveshjen që u propozon qeveria, për t’i mbajtur me detyrim në Shqipëri në përfundim të studimeve. E alarmuar për emigrimin masiv të mjekëve, qeveria ka gjetur detyrimin si të vetmen rrugë për t’i mbajtur ata në vend”.

“Në fakt ka të drejtë. Por është kujtuar shumë vonë, pasi e ka injoruar me vite të tëra problemin e madh të emigrimit të mjekëve, nuk mori asnjë masë për ta parandaluar. Eksodi i mjekëve ka marrë përmasa alarmante. 22 % e totalit të mjekëve në Shqipëri kanë emigruar. Në shifra janë rreth 1028 mjekë nga 4745 doktorë që ka Shqipëria. Rreth 62 % e të diplomuarve në mjekësi në vitet 2018-2022 përgatiten të largohen”, tha Xhixho.

“Qeveria i vë sot studentët e mjekësisë para zgjedhjes të punojnë minimalisht tre vite në Shqipëri pas diplomimit, ose përndryshe duhet të paguajnë tarifën e plotë të studimeve, që është jo pak, por 5500 euro në vit. Pra, nëse nuk vepron siç i leverdis qeverisë, studimet do të të kushtojnë shumë shtrenjtë”, theksoi ajo.

Xhixho nënvizoi se, Partia e Lirisë e mbështet protestën e studentëve të mjekësisë për disa arsye:

“E para, kontrata që propozon qeveria është tërësisht në shkelje të Kushtetutës, pasi cenon aksesin në studimet e larta. Për të pasur akses në studimet e larta ka vetëm një kriter dhe ai është aftësia. Qeveria nuk mund të shtojë në mënyrë arbitrare pranimin e kontratës.

E dyta, kontrata e propozuar nga qeveria do të dekurajojë mijëra maturantë që ëndërrojnë mjekësinë. Me një kosto 5500 euro në vit, ata do të zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Pra, do të nxitet emigrimi i 18-vjeçarëve që duan të studiojnë mjekësi.

E treta, kontrata krijon pabarazi sot dhe precedent për nesër. Studentët e mjekësisë bëhen kështu të parët që penalizohen me një kontratë që i mban ata peng duke i penguar të zhvillojnë karrierën. Por kontrata të ngjashme mund të përdoren nesër për studentë të degëve të tjera. Le të kujtojmë këtu që janë me mijëra edhe të diplomuarit në IT që largohen jashtë.

E katërta, detyrimi për të paguar tarifën e plotë nëse refuzon tre vjet punë në Shqipëri rëndon mbi mijëra familje shqiptare, që me shumë sakrifica përballojnë studimet e fëmijëve të tyre. Familjet që paguajnë taksa rregullisht ngarkohen me një barrë të re”, tha Xhixho.

Sipas saj, “kontrata që propozon Ministria e Arsimit është një praktikë detyruese, që të kujton kohën e komunizmit. Detyrimi patriotik që u kujton studentëve ministrja e Arsimit duhet përmbushur pikësëpari duke krijuar kushtet që mjekët të mos emigrojnë”.

Sot, theksoi Xhixho, “detyrimi i Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë është të dëgjojë studentët dhe të hartojë politika për ta bërë Shqipërinë të jetueshme për të gjithë e jo vetëm për disa”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama mbështet Kurtin: Pa u liruar 3 policët, e kotë të diskutohen çështje të tjera me Serbinë
Artikulli tjetërPARIS – Scholz: Bota duhet ta ndajë barrën e varfërisë