TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, vizitoi këtë të premte Katedrën e Albanologjisë në “Ludwig-Maximilians” në Mynih të Gjermanisë.
Përmes rrjeteve sociale, ministrja Kushi bënë të ditur se ka zhvilluar një bashkëbisedim me profesorin Bardhyl Demiraj, si dhe studentë të Masterit në Albanologji, i vetmi program master jashtë hapësirës shqipfolëse për Albanologjinë.
“Krenare që marrëveshja që nënshkruam për mbështetjen financiare të kësaj katedre, garanton ruajtjen dhe vijueshmërinë e këtij programi, si dhe hap dyert për një bashkëpunim më të thelluar në fushën e Albanologjisë me Ministrinë e Arsimit dhe universitetet shqiptare”, bën të ditur Ministrja Kushi.
“Mirënjohje për të gjithë pedagogët dhe studentët që kanë dhënë kontribut në konsolidimin e këtij programi ndër vite, që prej themelimit në vitin 1961 nga Martin Camaj!”, përfundon Kushi.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi po zhvillon një vizitë në Gjermani, në rajonin e Bavarisë. Fillimisht ajo është pritur në një takim nga Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Bavarisë për Arsimin dhe Kulturën, Anna Stolz, teksa më tej zhvilloi një vizitë pune në Parlamentin e Bavarisë, ku prit nga nënkryetari i Parlamentit Bavarez dhe deputetët gjatë seancës plenare.
/r.e/























