TIRANË, 24 maj /ATSH/ Turi i 80-të çiklistik i Shqipërisë, me pjesëmarrjen e 15 ekipeve nga vende të ndryshme të botës dhe 150 garues, ka nisur që prej 22 majit e do të vijojë deri më 26 maj.
Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e sigurisë së çiklistëve dhe për lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Rrugore, ato të patrullave të përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, në bashkëpunim me organizatorët e aktivitetit ndërkombëtar “Turi i 80-të çiklistik”, që po zhvillohet në vendin tonë, kanë marrë masa për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, për sa i përket sigurisë rrugore dhe sigurisë së rendit publik.
Aktiviteti çiklistik përfshin 5 etapa garash me itinerare të gjata, në disa nga asket rrugore kombëtare. Kanë përfunduar me sukses 3 etapa të këtij turi dhe do të zhvillohen më datat 25 dhe 26 maj, 2 etapat e fundit të tij.
Më datë 25.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin Lungomare, Vlorë – Fier – Mbrostar Ura, Fier – Levan – Tepelenë dhe përfundon në Përmet, në orën 18:30.
Më datë 26.05.2023, në orën 10:00, me itinerarin Qendra e Përmetit – Tepelenë – Levan dhe përfundon në Fier, në orën 13:00.
Policia e Shtetit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët për mirëkuptimin gjatë 3 fazave të këtij aktiviteti çiklistik, si dhe apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në akset rrugore që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit, gjatë 2 etapave të fundit të tij.
/r.e/























