TIRANË, 3 maj /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, kundërshtarët politikë po përgatisin alibinë për humbjen e radhës.
Në një intervistë televizive, duke reaguar ndaj akuzave të bëra nga deputeti Flamur Noka se, në Elbasan janë caktuar drejtorët që do të merren me blerjen e votave për zgjedhjet e 14 majit.
“Ata kanë 4 faza. Fillimisht ishte dezinformimi kur thoshin se Gledian Llatja nuk do kandidojë më. Më pas hapën fjalë që Elbasani do lihet zonë e lirë. Ky ishte dezinformimi i dytë. Pasi edhe këto fjalë i mori era, kaluan në fazën e mashtrimit publik ku kemi parë çudira si premtime elektorale të karakterit të ndërtimit ‘Disney Land’ apo kthimi i Elbasanit në një kinostudio të re. Apo kur Boçi del me një kompani fiktive atje dhe thotë se do të sjellë 400 milionë euro. Mashtrime të nivelit të vitit 1991, ku vinte një i huaj dhe fliste anglisht për të gënjyer mendjen e shqiptarëve të varfër”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri u shpreh se, “unë e kam thënë se jemi mes hapësirës, 45-55 bashki. Mendoj se minimumi do jetë 45 bashki dhe më normalja do jetë mes 50 dhe 55”.
“Elbasani ka 7 bashki dhe PS duhet t’i fitojë të gjitha bashkitë. Nga të gjitha të dhënat që kemi, patjetër do t’i fitojmë të gjitha bashkitë. Edhe për këshillat bashkiakë, po përçojmë mesazhin tek qytetarët që mos të hedhin votën gabim dhe të mbajnë peng bashkinë duke u penguar punën kryebashkiakëve me anë të këshilltarëve bashkiakë”, tha Gjiknuri.
/k.s/ /gj.m/























