Ballina Aktualitet

Kingji: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, rol kyç në forcimin e sigurisë në rajon

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Arben Kingji priti në takim zyrtar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Maqedonisë së Veriut, gjeneral lejtnant Vasko Gjurchinovski.

Takimi mes dy homologëve u fokusua në marrëdhëniet dypalëshe të bashkëpunimit ushtarak, si shtete fqinje dhe si dy vende anëtare në NATO.

Gjeneral Kingji u shpreh se, “vendet tona luajnë një rol kyç në forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon e më gjerë, duke marrë pjesë aktivisht në të gjitha nismat e NATO-s në mbrojtje të lirisë dhe të vlerave demokratike”.

Gjeneral lejtnant Gjurchinovski, pasi u njoh mbi procesin e zhvillimit dhe modernizimit të FARSH, falënderoi gjeneral Kingjin për pritjen e veçantë, si dhe gjatë takimit dypalësh vuri theksin për angazhimin e përbashkët në gjetjen e mundësive të reja për thellimin e bashkëpunimit mes dy ushtrive të vendeve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAFGANISTAN – Talebanët vrasin liderin lokal të Shtetit Islamik
Artikulli tjetërBejko: Do të hapim 5 tregje të reja në hyrjet e Tiranës