Ballina Aktualitet

Peleshi pret homologen austriake: Nënshkruam planin e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes

TIRANË, 25 prill/ATSH – I. Vata/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi priti sot në një takim zyrtar ministren Federale të Mbrojtjes të Austrisë, Klaudia Tanner.

Takimi ishte i një rëndësie të veçantë, pasi të dy ministrat diskutuan bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes dhe rolin e kontributin e veçantë të Austrisë në Ballkanin Perëndimor.

Ministri Peleshi e siguroi ministren Tanner për angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e reformave dhe plotësimin e kritereve për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Pjesë e diskutimeve ishin gjithashtu ndryshimet e fundit dhe reformat e ndryshme në fushën e Mbrojtjes, investimet dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Një pikë e rëndësishme e takimit ishte nënshkrimi i Planit të Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, ku në konferencën e përbashkët ministri Peleshi informoi se ky dokument shërben si udhërrëfyes mbi bashkëpunimin, koordinimin dhe shkëmbimin e eksperiencës në fushën e emergjencave civile, bashkëpunimit civilo-ushtarak, logjistikës etj.

Ministri Peleshi theksoi gjithashtu rëndësinë që ka mbështetja e Kosovës në aspiratat e saj kundrejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e paqes.

“Miqësisht i kërkova ministres Tanner, që Ministria e Mbrojtjes e Austrisë, të vijonte kontributin dhe mbështetjen e Ballkanit Perëndimor në kuadër të iniciativave ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë këtu Kosovën, si pjesë e qenësishme e rajonit dhe si një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të qenë kështu gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha gjeopolitikisht korrekt”, u shpreh Peleshi.

Nga ana e saj, ministrja austriake e Mbrojtjes, Klaudia Tanner, falënderoi për mikpritjen ministrin Peleshi dhe shprehu mbështetjen e pakursyer të vendit të saj në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ministrja Tanner u ndal në rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Perëndimor, sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot Evropa, por edhe globi.

“Situata aktuale tregon edhe një herë se mbështetja e miqve tanë të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme. Lufta në Ukrainë na mëson të gjithëve se duhet të kujdesemi për stabilitetin pikërisht atje ku është shumë e rëndësishme, pikërisht në rajone ku janë të kërcënuar nga konfliktet dhe rreziqet e jashtme dhe pikërisht në këtë aspekt ne duhet të japim një kontribut të përbashkët për politikën tonë të sigurisë dhe stabilitetit”, – u shpreh ministrja e Mbrojtjes e Austrisë.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel dypalësh, kryesisht përmes edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKË – Medvedev: Mos e nënvlerësoni Rusinë si fuqi bërthamore
Artikulli tjetërGJERMANI – Scholz fton Li Qiang për bisedime në Berlin