TIRANË, 20 prill/ATSH – I. Vata/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja foli sot për ngjarjen e ndodhur në Shëngjin të Lezhës ku kërkoi zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili është njëherazi edhe drejtues politik i PS-së për qarkun e Lezhës, u pyet për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin.
Manja kërkoi nga organet ligjzbatuese që të zbardhet menjëherë kjo ngjarje dhe autorët e krimit të shkojnë përpara drejtësisë.
Ai i ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës, duke u shprehur se për ta ndjen vetëm “neveri dhe përçmim”.
“E para dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e viktimës së djeshme në Lezhë dhe të shpreh gjithë solidaritetin tim në këtë ngjarje të trishtë që ka ndodhur dje në Lezhë. Në radhë të parë jemi shqiptarë, më pas jemi aleatë apo mund të jemi dhe kundërshtarë politikë. Por në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë. Atë të zbardhjes menjëherë të kësaj ngjarjeje dhe të vënies së autorëve të këtij krimi të shëmtuar menjëherë përpara drejtësisë”, u shpreh Manja.
“Tani, lidhur me akuzat e djeshme, unë kam neveri dhe përçmim sepse janë të njëjtët njerëz që vëllavrasjen, nxitjen e përçarjes dhe përdorimin e viktimave për qëllime të përfitimit politik apo për qëllime personale e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre politike këtu e 32 vjet. Ndjej vetëm neveri dhe përçmim, por është momenti të ftoj edhe një herë organet ligjzbatuese që një orë e më përpara të zbardhin këtë ngjarje dhe autorët të shkojnë përpara drejtësisë”, u shpreh Manja.
/r.e/






















