TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ -Një ekip nga Autoriteti për Informim me Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kryesuar nga kryetarja, Dr. Gentiana Sula, mbajti një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Romë, të cilët u njohën nga afër me punën e Autoritetit dhe misionit të tij në zbradhjen e të shkuarës komuniste.
Kryetarja Sula i njohu me marrëveshjen e nënshkruar me Institutin e Historisë Europiane Mesdhetare, e cila ka si qëllim rishqyrtimin e historisë mes dy vendeve nëpërmjet studimit të dokumenteve nga grupe studiuesish, në kuadër të projekteve të përbashkëta.
Mes të pranishmëve ishte edhe Aldo Terruzi, i biri i Giusepe Terruzit, punonjësit të Bankës Tregtare Italiane në Vlorë, zhdukur në vitin 1947 në burgun e Burrelit, në të cilin vuante dënimin pas akuzave poltike të regjimit të sapovendosur në vend.
Prej 30 vjetësh Aldo Terruzi kërkon eshtrat e të atit, si rreth 200 kërkues të tjerë, të cilët kanë paraqitur kërkesë pranë Autoritetit për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur.
Gjatë takimit, Terruzi plotësoi formularin për të zhdukurit dhe u njoh me ndryshimet e reja e ligjore, si dhe hapat e ndërmarrë nga Autoriteti në lidhje me çështjen e të zhdukurve.
Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Keti Koçi Currani, një emigrante e fillim viteve të
tranzicionit, e cila vjen nga një familje me histori vuajtjesh në të kaluarën komuniste të vendit. Ajo u njoh me procedurat e aplikimit për informim në Autoritet dhe plotësoi formularin përkatës.
Pjesë e takimit ishin: Rovena Sakja, aktiviste në fushën e arkivistikës e interesuar për studime të mëtejshme të dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit, avokati Saverio Kashuri, interesuar në zbardhjen e së shkuarës në planin e shkeljes së të drejtave të njeriut në komunizëm, si dhe studiuesja Alma Hado.
/gj.m/























