Ballina Flash

Gjiknuri dhe Llatja prezantojnë programin “Elbasani 2030”

TIRANË, 12 prill/ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja që më 14 maj kërkon votëbesimin për një mandat të dytë,  prezantuan programin “Elbasani 2030” në një bashkëbisedim me qytetarët e Elbasanit.

Gjiknuri u shpreh se Elbasani 2030, nuk është thjesht një numër, por një vizion për zhvillimin e qytetit.

“Elbasani duhet të ecë vetëm përpara. Ne nuk i besojmë fjalëve, ne i besojmë punëve. Dhe Partia Socialiste është partia e punëve, ne flasim pak dhe punojmë shumë. Mbase jemi të butë nga zëri, nuk çirremi, por forca jonë qëndron tek puna dhe njerëzit”, tha ai.

Gjiknuri nënvizoi se alternativa përballë jo vetëm që nuk ka ekip, por ka treguar se e do bashkinë e Elbasanit për ta kthyer në një bunker politik.

Ai deklaroi se qytetarët e Elbasanit e kanë të qartë zgjedhjen e tyre, duke parë përpara dhe kurrë pas.

“Ata që dalin dhe ju premtojnë vetëm, gjoja që flasin dhe bukur tek për tek, mos ju besoni se janë gënjeshtarët më të mëdhenj. Në 14 maj, ballafaqohen të dy filozofitë. Nga njëra anë është kjo pemë e gjelbër që quhet Partia Socialiste dhe ecën përpara, dhe shikoni anën tjetër, e shkuara me hijet e së kaluarës që duan të na mbajnë pas.  Kë do të zgjedhim ne? Do të zgjedhim ata që na çojnë përpara. Ne nuk do të zgjedhim Saliun dhe Ilirin, nuk ka nevojë më vendi për Sali dhe Ilir, për martesën e re Berisha-Meta dhe me pinjollin e tyre që e kanë sjellë në Elbasan. Jo ne kemi nevojë për të rinj dhe të reja , për njerëz intelektual qytetarë , të cilët përfaqësojnë  zhvillimin dhe ekuilibrin e shoqërisë që e ka emrin Elbasan. Prandaj ne kemi zgjedhje shumë të thjeshtë, përballë thash kemi pinjollin e dyshes Berisha-Meta. Kjo është e vërteta. Do çliroj elbnasanin thotë. Po pse mor zotëri, kush e ka pushtuar Elbasanin,  elbasanllijtë?! S’janë elbasanllinj të gjithë  këta apo do vijë Ilir Meta dhe Sali Berisha të çlirojë Elbasanin”, tha Gjiknuri.

Teksa shpalosi vizionin e tij për drejtimin e Elbasanin dhe listën e gjatë të projekteve, kryebashkiaku Gledian Llatja tha se për të realizuar të gjitha këto është e nevojshme një mbështetje masive për PS  më 14 maj. Llatja nënvizoi se Vota për PS, do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore.

“Të gjithë këto punë të mira nuk bëhen dot vetëm. Konkretizimi i këtij projekti të madh kërkon që Bashkia e Elbasanit jo vetëm të drejtohet nga Partia Socialiste dhe të kemi këshillin Bashkiak në shumicë mbështetëse, por dua edhe mbështetjen e madhe të qeverisë dhe të mazhorancës socialiste për të vazhduar gjithë këto projekte të mëdha.  Kjo është ajo çka ne duam të bëjmë në 14 maj, ti themi të gjithë Shqipërisë se Elbasani nuk ndalet. Vota jonë për PS , do të jetë përkrahja më e madhe për projektet zhvillimore , do jetë përkrahja më e madhe për të gjithë mbështetjen që na është dhënë, por dhe për të ardhmen e sigurtë të Elbasanit dhe të projekteve tona zhvillimore. Unë jam i bindur se me kryeminsitrin, me Damianin, me Evisin, me deputetët, me të gjithë ne bashkë, në këtë 4-vjeçar, do të bëjmë punë të mira për Elbasanin, do të vazhdojmë zhvillimin e tij, do të vazhdojmë zhvillimin e qytetit dhe të fshatit, zhvillimin ekonomik, të infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Elbasanit”, theksoi kryebashkiaku Llatja.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSula takim me komunitetin shqiptar në Itali
Artikulli tjetërNdërtesat mbi 50-vjeçare, Veliaj: Pasaportë sigurie për çdo godinë, nuk bëhet fjalë për të prishur banesa