Ballina Ekonomi

Tatimi mbi të ardhurat, AmCham bashkëpunim me MFE për aktet nënligjore

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), do të vijojë diskutimet me qeverinë për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurt”, i cili u miratua vetëm pak ditë më parë në Parlament.

AmCham thotë se, nëpërmjet ekspertëve të Komitetit të Taksave dhe Doganave janë përcjellë pranë të gjitha instancave, komentet dhe argumentet për përmirësimin e draftit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të propozuar nga qeveria, me qëllim krijimin e një sistemi tatimor të qëndrueshëm dhe të drejtë.

Sipas saj një pjesë e rekomandimeve janë reflektuar në ligj.

“Për vite me radhë, Dhoma ka lobuar për hartimin dhe konsultimin e një ligji të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili do të të sillte një frymë të re në investimet e huaja direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit. Mbështetur në politikën e dialogut dhe konsultimit, Dhoma ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me institucionet qeveritare dhe parlamentare, në mënyrë që ky proces të ishte sa më transparent. Kjo i dha mundësi grupeve të interesit të ishin të përfshirë gjatë hartimit të këtij projektakti, i cili është vital në aktivitetin ekonomik të biznesit dhe mirëqenien e individit”, deklaron AmCham.

Më tej bëhet e ditur se, pas konsultimeve edhe gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në ligj në seancat e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, u mundësua reflektimi i disa komenteve dhe sugjerimeve të AmCham-it.

Mes tyre, Amcham rendit heqjen e tatimit mbi dividentin për degët e shoqërive të huaja; përmirësimin e parashikimeve për njohjen e borxhit të keq; reflektimin në ligj të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike dhe aplikimin e dispozitave aktuale, që lidhen me borxhin e keq për bankat si dhe përdorimi i metodës lineare të amortizimit për të gjitha kategoritë e aseteve.

“Pavarësisht reflektimit të një pjese të rekomandimeve, konstatojmë se disa çështje shumë të rëndësishme të sistemit tatimor nuk adresohen në ligj, siç mund të përmendim barazinë fiskale apo luftën kundër informalitetit. Mbështetur në të njëjtën frymë bashkëpunimi, Dhoma do të vazhdojë ofrimin e ekspertizës fiskale, në ndërtimin e akteve nënligjore, të cilat janë një hap tjetër i rëndësishëm për të përsosur zbatimin e Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në thelb të këtij procesi, konfirmohet rëndësia e konsultimit publik gjatë hartimit të projektakteve”, bën të ditur Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrezantohet Portali i Fermerit, Krifca: Gjithçka për tregjet, çmimet, skemat e mbështetjes dhe financimin
Artikulli tjetërRama: Konkurrencë më e madhe për forca të reja pune