Ballina Aktualitet

Rama: Konkurrencë më e madhe për forca të reja pune

TIRANË, 7 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama i bëri sërish thirrje sot sektorit privat që të investojë në kapitalin njerëzor duke rritur pagat.

Gjatë prezantimit të Portalit të Fermerit, Rama tha se “kemi hyrë në një fazë ku lufta për krahë pune dhe për forca të reja pune po bëhet gjithmonë e më e egër dhe konkurrenca mes të gjitha vendeve do shkojë e duke u bërë gjithmonë e më e egër”.

“Kur them konkurrenca, mes të gjitha vendeve kam parasysh, që nga Gjermania e madhe, e fortë, e pasur, deri tek Shqipëria jo e madhe, jo aq e fortë dhe jo aq e pasur. Nevoja për të mbrojtur kapitalin njerëzor, për të mbrojtur krahun e punës është gjëja më kryesore që duhet ta keni ju dhe duhet ta ketë çdokush që ka qoftë dhe dy të punësuar, qoftë në sektorin publik, e qoftë në sektorin privat”, tha ai.

Sipas tij, “qeveria po bën një rritje historike pagash që nuk ka ndodhur kurrë, duke çuar pagën mesatare në Shqipëri në 900 euro, çka është thuajse dyfishimi i pagës mesatare”.

“Sektori privat ka filluar të reagojë, por jo sa duhet dhe jo si duhet ndërkohë që koha vrapon me shumë shpejtësi në këtë drejtim. Ata njerëz që ju i keni trajnuar, që i keni stërvitur, që i keni mësuar, mos i merrni për të sigurt që do t’i keni aty çdo mëngjes kur të shkoni në punë nëse nuk do t’i paguani si duhet dhe problemi është se, ju e dini më mirë se unë, kur të ikën një nga ata është njësoj sikur të këputet një krah, por në atë moment është vonë. Koha kur njerëzit mund të punonin këtu me ato paga, të cilat janë paguar deri tani ka ikur. Duhen paga më të larta dhe duhet një sakrificë e re”, tha ai.

Rama tha se me një hap të tillë sipërmarrja fiton sigurinë e forcave të punës dhe pastaj duke zhvilluar më tutje ndërmarrjen, kapacitetet teknologjike e të tjerë mund të hyjë në një cikël të ri fitimi.

“Nuk ke shans t’i mbijetosh të nesërmes, nëse sot të lënë pushkën në faqe luftëtarët me të cilët ti e bën betejën çdo ditë. Ne do të marrim disa masa dhe duhet ta dini sot që do ta konsultojmë, do ta shohim, por sikundër ne do të ndalojmë pjesëmarrjen ose aksesin në fonde publike për ndërtim, do të ndalojmë dhënien e lejeve të ndërtimit për kompani që nuk i paguajnë punëtorët në mënyrë dinjitoze dhe natyrisht kjo mënyra dinjitoze është diçka që nuk e vendosim ne, është diçka që e vendos tregu, e vendos logjika e tregut dhe e vendos dhe një gjë tjetër, domosdoshmëria për t’i dhënë fund mashtrimit me pagat që një pjesë e pagës i jepet me bankë, një pjesë i jepet nën dorë e të tjerë”, tha ai.

Rama theksoi se qeveria nuk mund t’i detyrojë dot kompanitë të vendosë paga të caktuara, sepse jemi në një sistem që funksionon sipas lirisë të secilit.

“Ne mund t’i themi kompanive që nëse ti punon në ndërtim dhe nëse ti ngjit punëtorë në katin e 12 në mes të dimrit ose në mes të vapës dhe vjen dhe më thua që, këta ti i paguan 300 mijë lekë, përveçse mua më vjen shumë turp për ty, ti nuk merr dot asnjë lloj fondi nga taksat e shqiptarëve, sepse ti je një shfrytëzues, nuk je një sipërmarrës, këtë mund ta themi. Ndërsa për sa i përket kompanive në këtë sektor ne do ta lidhim këtë me fondet e projektet. Sigurisht, duke u konsultuar, duke vendosur një dysheme të arsyeshme, patjetër, por ta bëjmë gjithmonë e më të vështirë që të merren fonde me punëtorë që paguhen gjysma kështu e gjysma ashtu, apo me paga që janë të paarsyeshme për punëtorët”, tha ai.

Duke iu referuar kompanive fason, Rama tha se në kushtet e sotme është shumë e vështirë të gjejnë punonjëse të reja nëse nuk rrisin pagat.

“Është e pamundur dhe kjo është kambanë alarmi për atë industri, sepse ajo industri duhet të transformohet, jo të falimentojë. Ata sipërmarrës duhet ta çojnë në një nivel tjetër prodhimin. Ata duhet të mendojnë për ciklin e mbyllur, duhet të mendojnë për produkte “Made in Albania”, e kështu me radhë dhe këto nuk janë porosi që unë i jap nga lart, janë realitete që po ndodhin në disa prej tyre”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTatimi mbi të ardhurat, AmCham bashkëpunim me MFE për aktet nënligjore
Artikulli tjetërRama: Subvencionet në bujqësi, të orientuara nga tregu