Ballina Flash

Leskaj: Përcaktimi i minimumit jetik, referencë për pagën minimale

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Deputeti i PD-së Bujar Leskaj kërkoi sot gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përcaktimin e minimumit jetik brenda 2023-shit.

Leskaj theksoi se, për rrjedhojë kjo do të ndihmojë në hartimin e politikave për zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e politikave sociale.

“Gjatë miratimit të projektbuxhetit 2023 kam bërë një amendim që kishte të bënte me detyrimin e qeverisë për të caktuar minimumin jetik. Unë kërkoja që brenda 6-mujorit të parë 2023 qeveria të miratojë minimumin jetik. Fatkeqësisht propozimi nuk gjeti mbështetje. Ne duhet ta vendosim në fokusin tonë të vëmendjes përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, brenda 6-mujorit apo brenda 2023-shit. Minimumi jetik përdoret më pas si referencë për pagën minimale”, tha ai.

Leskaj theksoi se, aktualisht mungojnë të dhëna zyrtare për minimumin jetik.

“32 % e popullsisë së Shqipërisë vuan nga mospasja ushqimore. Në BE rezulton që një ndër 5 persona ka premisa për të rënë në varfëri, kurse në Shqipëri 1 ndër 2 persona rrezikon që të bjerë në varfëri. Lufta kundër varfërisë ndodhet në një udhë pa krye në Shqipëri. Minimumi jetik shërben si një udhëzues për politikat e qeverisë. Minimumi jetik duhet të jetë baza për përcaktimin edhe të ndihmës ekonomike. Pse qeveria nuk përcakton minimumin jetik? Ne duhet të ngrihemi në nivelin politik dhe të nisim procedimin zyrtar për hartimin e ligjit dhe përcaktimin e minimumit jetik. Qeveria e ka për detyrë juridike përcaktimin e minimumit jetik”, u shpreh Leskaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRisi në ligjin e ri të pagave, qeveria e nxjerr për konsultim publik
Artikulli tjetërManastirliu: Fondi i ndihmës ekonomike, 7.2 miliardë lekë për 2023-shin