Ballina Aktualitet

Caka: Veliaj, në krye të bashkisë për interesat e tij

TIRANË, 13 mars/ATSH – I. Vata/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun dhe kryesuesja e listës së këshilltarëve për bashkinë e Tiranës, Silva Caka deklaroi sot se, “Erion Veliaj nuk është në krye të bashkisë për punët e qytetarëve, por për interesat e tij”.

Në një deklaratë për mediet, Caka tha se, “Veliaj flet për shkollat dhe për çerdhet që nuk përmbushin kapacitetin, nevojat e popullatës, shkolla që ka 4 vite për t’u rikonstruktuar, shkolla që nuk janë hedhur ende themelet”.

“Erion-fasada ka dalë përsëri sot me kasetën e radhës, të bëjë gjoja sikur ka investuar në çerdhe dhe kopshte në Tiranë. Për cilat kopshte dhe çerdhe flet Erion-fasada? Për ato që nuk kanë kapacitetet që përmbushin nevojat e popullsisë në Tiranë? Për ato që kanë nga 40 – 50 fëmijë në një grup? Për ato ku një numër i madh fëmijësh duhet të përballohen nga 2 edukatore, duke e bërë të pamundur procesin e mësimdhënies dhe nxënies, pavarësisht dëshirës dhe aftësive të edukatoreve?”, tha Caka.

“Me buxhetin e bashkisë së Tiranës, 350 milionë euro çdo vit, një administrator i mirë, i ndershëm, transparent dhe llogaridhënës ndaj atyre që e kanë zgjedhur, do të bënte mrekulli për fëmijët tanë; Erioni nuk e bën dot, sepse Erioni nuk është në krye të asaj bashkie për ne, për qytetarët, por për interesat e tij”, theksoi ajo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIbrahimaj: Reformë në sistemin e pagave dhe shpërblimeve
Artikulli tjetërFOKUS – Australia kontrollon sigurinë ndaj dezinformatave në TikTok