TIRANË, 3 mars/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot gjatë protestës së mbajtur përpara Kryeministrisë se “ky regjim ia ka kaluar edhe Bjellorusisë së Lukashenkos për sa i takon mungesës së investimeve për kapitalin njerëzor, për inovacionin, shkencën dhe mundësitë që duhet t’u ofrohen të rinjve”.
Duke iu drejtuar protestuesve, Meta tha se “sot ju keni sfiduar regjimin më të urryer në kontinent sa i takon të drejtave dhe lirive të qytetarëve, regjimin më të korruptuar në kontinent është lider i vetëm për shpopullimin e vendit”.
“Jemi sot këtu në vazhdim të angazhimit tonë të pathyeshëm për ta rrëzuar këtë regjim me protesta e me zgjedhje me zgjedhje dhe me protesta. Një regjim i tmerruar nga vota e fjala e lirë. I tmerruar nga firmat që ka hedhur për të plaçkitur miliarda euro, për të shkatërruar në mënyrë të paligjshme me IKMT e tij mbi gjysmën e kateve dhe vendimeve që ai institucion ka marrë vetëm për llogari të Rilindjes në dëm të interesit publik dhe në dëm të pronave të ligjshme të qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.
Kreu i PL-së shtoi se “jemi këtu se është tronditur në themel siguria juridike, parim themelor i Kushtetutës tonë. Jemi këtu se këtij (Kryeministrit Rama) nuk i mjafton që uzurpoi PS-në, që e shndërroi në një bandë plaçkitëse të cilët janë deputetë vetëm me kartona dhe nuk kanë asnjë bindje politike, asnjë kujtesë sa i takon të kaluarës, nuk kanë asnjë shqetësim sa i takon të ardhmes së këtij vendi, dhe tani kërkon të marrë edhe vulën e PD-së”, tha ai.
/r.e/






















