Ballina Aktualitet

Nikolla: Shqipëria, lidere rajonale e luftës kundër antisemitizmit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë në aktivitetin “Besa e Përjetshme”, kushtuar 31-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit, organizuar nën kujdesin e “Izraeli House” dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Në këtë veprimtari morën pjesë, deputetë të Kuvendit, deputetë e ish-deputetë të Knesset-it, ish-ministra të qeverisë së Izraelit, deputetë nga Dhoma e Komuneve e Mbretërisë Bashkuar, akademikë, diplomatë etj.

Takimin, i cili u moderua nga ish zëvendëskryetari i Knesset-it, Yehiel (Hilik) Bar, e hapi kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili nënvizoi se shqiptarët qëndruan në krah të hebrenjve në ditët më të errëta të tyre dhe të historisë botërore.

“Ndërsa Shqipëria u rreshtua në Aleancën Antifashiste, shqiptarët bënë gjithçka të mbrojnë hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Evropës. Në 31-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria dhe Izraeli kanë shënuar arritje të rëndësishme në bashkëpunimin dypalësh dhe po shfrytëzojnë potencialet për avancimin dhe intensifikimin e tyre”, tha ai.

Në takim diskutuan edhe Michael Biton, deputet i Knesset-it, Akademik Shaban Sibnani, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave, Issaëi Frej, ish Ministër i Bashkëpunimin në Qeverinë e Izraelit, Tonin Gjuraj, ish Ambasador i Shqipërisë në Izrael, Omer Bar Lev, ish ministër i Sigurisë Kombëtare në Qeverinë e Izraelit, Kreshnik Çollaku, deputeti i Kuvendit,  Shalom Danino, deputet i Knessetit.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mbajti fjalën e mbylljes në këtë takim dhe nënvizoi se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrenjve nuk janë një çështje shtetërore, por një dimension i ndërtimit shpirtëror të dy kombeve dhe dy popujve tanë.

“Sikur Zoti të na kishte vendosur si vende fqinjë, nuk do kishim marrëdhënie më të ngushta, më të forta dhe më miqësore sesa rezultojnë sot marrëdhëniet tona. Si Kryetare e Kuvendit, por edhe si qytetare shqiptare, u jam mirënjohëse brezave që me humanizmin, besën, zemrën e gjerë dhe guximin e pashoq na skalitën në historinë botërore si një popull i vogël, por mbrojtës i madh i hebrenjve, si një popull i varfër, por që për hebrenjtë ofroi pasurinë e tij shpirtërore e njerëzore”, tha ajo.

Si dy shtete aleate dhe partnerë strategjikë me aleatin tonë të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Izraeli, vijoi fjalën Nikolla, janë dhe do të vijojnë të jenë në avangardë të luftës kundër terrorizmit, agresioneve pushtuese dhe formave të tjera të dhunës e sulmeve ndaj sovranitetit dhe integritetit të popujve e kombeve.

Sipas saj, Kuvendi do të vijojë të kontribuojë që Shqipëria, si lidere rajonale e luftës kundër antisemitizmit ta realizojë me sukses këtë mision, për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit.

“Angazhimi ynë nuk është thjesht në mbrojtje të një populli e të një kombi, por pjesë e detyrimeve dhe aspiratave tona drejt Bashkimit Evropian, e anëtarësisë në NATO; e kontributit në aleancën e luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për një botë të sigurt, me mirëqenie, paqe e drejtësi”, u shpreh Nikolla.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak8.2 milionë euro investim në ujësjellësin e Gjirokastrës
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE: Nuk financojmë mure për migrantët