TIRANË, 19 janar/ATSH/- Mbi 300 infermierë janë punësuar gjatë vitit që kaloi nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” duke u bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në facebook foto nga infermierët e punësuar në të gjithë vendin, pjesë e ekipit prej rreth 900 infermierësh të punësuar në sistemin shëndetësor publik vetëm gjatë vitit 2022”.
Rama thekson se bluzat e bardha të gjeneratës së re, të reja e të rinj të mirëshkolluar e të përkushtuar, janë shpërndarë në qindra qendrat e rindërtuara shëndetësore anembanë vendit.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.






































