Ballina Flash

Shqipëri-Kosovë, ministrat e Drejtësisë dakordësim për dënimet alternative dhe profesionet e lira

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë vizitës që po zhvillon në Kosovë pati një takim me homologen Albulena Haxhiu.

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp Manja u shpreh se, bashkëpunimi në mes dy vendeve fillon nga drejtësia.

Manja tha se në përbërje të delegacionit në vizitën e sotme janë përfshirë edhe përfaqësues të Drejtorisë së Burgjeve dhe Provës të Shqipërisë, si dhe shprehu vullnetin e dy ministrive për t’i çuar përpara marrëveshjet.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona fillon nga drejtësia. Konstatoj me kënaqësi se sa i përket dy ministrive tona dhe bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona, nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin tonë si përsa i përket bashkëpunimit në fushën penale, po ashtu edhe bashkëpunimit në fushën civile dhe tregtare”, u shpreh Manja.

“Në fushën penale dy ministritë tona kanë lehtësuar bashkëpunimin e autoriteteve gjyqësore në të dy anët e kufirit. Ndërsa lidhur me bashkëpunimin në fushën civile dhe tregtare, pas datës 30 qershor 2022, dua ta bëj të qartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që nuk ka më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar, çka do të thotë se shtetasit e Kosovës kanë të njëjtat të drejta siç i gëzojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për të bashkëpunuar lirshëm në fushën civile dhe tregtare. Kjo sigurisht i shërben hapjes së tregut, por pse jo edhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë në të dy vendet tona”, tha Manja.

Ai tha se, së shpejti do të nisë zbatimi i marrëveshjes sa i përket shtetasve kosovarë të dënuar me dënime alternative në Shqipëri.

“Është një numër rreth 284 shtetas të Republikës së Kosovës që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri. Tani e mbrapa, pas finalizimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshje do të jetë Shërbimi Korrektues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri”, theksoi Manja.

“Kemi rënë dakord dhe shumë shpejt do ta konkretizojmë edhe njohjen reciproke të provimeve të jurisprudencës, – tha Manja teksa shtoi se, – së shpejti do të ketë rezultate konkrete edhe për profesionet e lira, për avokatinë, përmbarimin, noterinë, përkthyesit zyrtar, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme etj. Do të jetë një treg i hapur pune për profesionistët e ligjit në të dy vendet tona”.

I pyetur nga gazetarët për rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për raportin e Dick Marty-t, Manja u shpreh se, “qëndrimi im në raport me këtë që ju parashtroni është i qartë, unë nuk kam çka të shtoj asgjë më tepër se sa çka thënë Kryeministri Rama dhe se çfarë ka thënë parlamenti i Shqipërisë me rezolutën që ka miratuar së fundi. Pra ka një qëndrim të qartë të Republikës së Shqipërisë edhe në nivel të adresimit që ka bërë Kryeministri, por tashmë kemi dhe një rezolutë të parlamentit të Shqipërisë lidhur me çështjen e raportit të Dick Marty-t”.

“Pastaj në rrafshin personal, si ish-prokuror që për shumë vite në Shqipëri edhe në kohën e luftës në Kosovë, por edhe si kryetar i Komisionit të Posaçëm Hetimor për raportin e Dick Marty-t, kam shumë gjëra për të thënë, por dua ta ndaloj këtu. Jam në një gjatësi vale me deklarimet e Kryeministrit dhe rezolutën e parlamentit të Shqipërisë”, tha Manja.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis ndërtimi i kampusit të ri arsimor në Milot
Artikulli tjetërKim: Përpjekje për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët për pandëshkueshmëri të të fuqishmëve