TIRANË, 4 tetor /ATSH-I.Vata/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka zhvilluar një takim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Nasip Naço informoi se nesër do të ketë edhe 2 takime të tjera me shërbimet e inteligjencës në fushën e përgjegjësisë së këtij komisioni siç është SHISH dhe Agjencia për Informacion dhe Siguri të Mbrojtjes.
“Gjatë takimit të mëparshëm në Kosovë ne diskutuam për sfidat e përbashkëta të dy vendeve tona për çështjet e sigurisë të cilat kërkojnë një bashkëpunim të mëtejshëm sepse sfidat që duhet të punojmë së bashku janë të mëdha. Prandaj, të dy parlamentet dhe komisionet e Sigurisë duhet të jemi të përgatitur që të mos na rrezikohet siguria kombëtare”, tha Naço.
“Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, kriza globale, krizat energjetike, migrimi i të rinjve dhe plot probleme të tjera. Siguria kibernetike është e rëndësishme. Shqipëria ka kaluar nga gjenerata e parë për reformën e sigurisë e cila synonte ristrukturimin institucional në gjeneratën e dytë që është më e përqendruar në çështje efikasiteti dhe llogaridhënieje. Si procesi i krijimit të institucioneve të shërbimeve të fshehta ashtu dhe institucioneve të mbikëqyrjes ka qenë një proces në vazhdim. Më e rëndësishmja nga këto është legjislacioni për krijimin e këtyre agjencive që duhet të përafrohet me atë të BE-së. Siguria kibernetike është një çështje jo vetëm që përfshihet në kapitullin 24 të integrimit si pjesë e sigurisë por dhe në kapitullin e 10-të që ka në fokus shoqërinë e informimit dhe të medies. Të gjithë janë në dijeni të sulmeve kibernetike në rajonin tonë dhe konkretisht më 8 shtator 2022 Shqipëria pati nga shtete jo mike si Irani një sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, këtu duhet të rrisim bashkëpunimin”, tha Naço.
Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu tha se “që kur kemi të bëjmë me punën e sigurisë së vendit dhe shërbimin inteligjent tek ne nuk ka ndasi, pozitë dhe opozitë sepse siguria e vendit i takon si pozitës dhe opozitës”.
“Jemi takuar sot pas situatës së sulmeve kibernetike në Shqipëri dhe Kosovë, por konsideroj se kjo nuk duhet të na shërbejë si frikë por si mësim nga sulmi i vendeve jo mike. Sot është mirë që në këtë takim të dalim me këshilla dhe sugjerime për punët e sigurisë në të ardhmen. Duhet të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në inteligjencën paralajmëruese, parandaluese e me theks të veçantë avancimin e interesave kombëtare dhe kundërvajtjen ndaj shërbimeve jomiqësore. Ka ende shtete që nuk janë treguar miqësore me Kosovën dhe këtu na duhet dhe mbështetja e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Seanca e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në takim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë i Kuvendit të Republikës së Kosovës vijoi me dyer të mbyllura.
/j.p/r.e/






















