Ballina Flash

Pampuri: Paketa antikrizë, nuk është në shërbim të halleve të qytetarëve

TIRANË, 26 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri deklaroi sot se paketa antikrizë e miratuar nga qeveria nuk është në shërbim të halleve të qytetarëve.

Në një postim në rrjete sociale, Pampuri u shpreh se qeveria i jep më shumë zë prezantimit e propagandës, sesa vlerave që në të vërtetë kanë nismat që ndërmarrin.

Ajo thekson se “premtimi se do rritet në masën 34 mijë lekë paga minimale pra 2 mijë më shumë nga sa u shtua pak muaj më parë, që përkon me një rritje prej 6%, nuk mbulon rritjen me 30-40-50% të çmimeve të produkteve të shportës që është evidentuar nga fillimi i këtij viti”.

“Pensionistët as nuk mund të mendohet që me rritjen prej 9,5 %, të pensioneve mund të përmbushin nevojat bazë, për ushqime, kujdes shëndetësor, medikamente, duke qenë që shëndetësia nuk është falas, dhe disa nga medikamentet e listës së barnave të rimbursueshme për shkak të mungesës së sigurisë mundohen t’i blejnë. Familjet që i përkasin shtresës së mesme e kanë thuajse të pamundur e nuk u del asnjë llogari për të përballuar këtë periudhë të vështirë”, tha ajo.

Pampuri thekson se ne kemi çmimet e Europës, por pagat më të ulëta në Ballkan.

Ajo shton se “grupi i produkteve tё “shportёs ushqimore” janё rritur me afёrsisht 40-50% pёrgjatё muajve tё fundit. Dhe duke ditur se shpenzimet pёr ushqime dhe veshmbathje pёr familjet shqiptare zёnё mesatarisht 60% tё shpenzimeve totale nga tё ardhurat mujore. Po ashtu qeveria do tё indeksojë dhe pagesёn e aftёsisё sё kufizuara qё sёrish ёshtё e pajustifikuar kjo masё pёr tё pёrballuar barrёn e rritjes sё çmimeve tё konsumit kryesisht”.

Gjithashtu, deputetja e PD-së nënvizon se familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, e kanë të pamundur të mbijetojnë me pagesë që qeveria u jep në fund të muajit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nxënëset e “Mehmet Akif” të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës
Artikulli tjetërMoti i keq, Krifca: 27 hidrovorët në funksion të plotë