SIDNEJ, 8 shtator /ATSH-ANSA/ – Një metodë e zhvilluar në Australi ka lejuar që numri i transplanteve të suksesshme të zemrës të shumëfishohet me kalimin e viteve.
Janë kryer 78 transplantime të suksesshme të zemrës në Australi gjatë tetë viteve të fundit përmes procedurës së dhurimit, pas vdekjes së ashtuquajtur qarkulluese DCD, një teknikë, e cila që atëherë është adaptuar edhe nga disa spitale jashtë shtetit.
Një vlerësim i programit, i botuar në revistën ”Transplantation”, tregon se teknologjia e re ka rritur numrin e transplanteve të kryera në spitalin ”St. Vincent” dhe Institutin e Kërkimeve Kardiake ”Victor Chang” në Sidnej me 25%.
Studimi demonstroi gjithashtu, në një kampion prej 74 transplantesh, një ndryshim të papërfillshëm në normat e mbijetesës pas një viti dhe pesë vjetësh midis transplanteve të kryera me metodat e reja dhe ato tradicionale.
Ndërsa zemrat e dhuruara fillimisht duhej të merreshin nga individë të vdekur klinikisht, zemrat e të cilëve ende rrihnin, metoda DCD lejon që dhurimet të bëhen edhe pasi zemra të ndalojë.
Brenda gjysmë ore nga shkëputja e mbështetjes jetësore, zemra nxirret dhe perfuzohet me një tretësirë ruajtëse të gjakut të oksigjenuar, përpara se të transportohet në një pajisje të veçantë te marrësi i dhurimit.
“Ato janë zemra që përndryshe nuk mund të ishin përdorur”, shkruan kryekardiologu, Peter MacDonald.
Teknologjia është adaptuar edhe nga spitalet në SHBA, Spanjë, Belgjikë dhe Holandë./ /os/























