TIRANË, 8 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot në Kuvend se në rastet kur ndërtuesit parablejnë me çmimin e tregut ose dhurojnë ndërtimet pa leje do të shpëtojnë nga ndjekja penale, në të kundërt objektet do të konfiskohen dhe ata do të ndiqen penalisht.
Duke u drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvend, Rama foli për ndërtimet pa leje.
“Së pari, një herë urime që jeni tharë pasi u zhytët në pishinat e Irfan Hysenbelliut tre ditë rresht, kjo tregon që ju punojnë mirë tharëset e flokëve edhe keni konsumuar goxha energji për t’u tharë. E dyta, për sa i përket ndërtimeve pa leje, ne jemi sot në një kohë kur këto janë shfaqjet e fundit të brutalitetit kapitalist të disa kokave që kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan në këtë vend, ndërkohë që kur e kemi nisur ne punën, ndërtimet pa leje dhe pallatet me kate shtesë dhe godinat e zgjatura e të rritura nga të dy anët, e të shtuara nën ndenjëse, nën tokë, ishin pafund. Sot në Tiranë numri i tyre është i vogël, nuk është i madh por sigurisht ato janë aty dhe se çfarë do të bëjmë ne do ta shikoni në ditët në vijim”, tha ai.
Kryeministri theksoi se ndërtuesit ose do t’i parablejnë me një çmim real tregu të indeksuar dhe do paguajnë edhe gjobën mbi çmimin real të tregut dhe është ligji fiks ky dhe ato para ne do të çojmë tek fondi i shpronësimit, ose do ta dhurojmë.
“Në këto dy raste, atyre u jepet mundësia që të ligjërohet gjëja e të mos përfundojë në ndjekje penale ose do të konfiskohen dhe pastaj vazhdojmë me ndjekjen penale. Së pari, askush nuk do ta çojë ndërmend të bëjë metra katrorë shtesë, sepse do t’i dali aq shtrenjtë dhe do të jetë aq stres dhe do të kenë aq halle me ligjin, sa do të jetë e kotë ta bëjnë një gjë të tillë”, tha ai.
Së dyti, kryeministri shtoi se “në të gjitha metrat katrorë që kanë ndërtuar jashtë lejeve ose pa leje për qëllime fitimi, përfituesit do të jenë të pastrehët apo do të jenë ata tek Unaza e Re që kanë nevojë të shpronësohen dhe paratë nga parablerja do të shkojnë te Fondi i Shpronësimeve, ose do të jetë shteti që do t’i marrë për mjedise pune në rastet kur mjediset janë mjedise të kateve të para, zyra e ku di unë se çfarë”.
“Kjo do të ndodhi e do të ndodhë shumë shpejt. E kjo do të ndodhë në Tiranë, kjo do të ndodhë nga rëra te plazhi e deri te qendrat e qyteteve dhe ka ndodhur gjatë gjithë kohës. Për këtë arsye ne kemi sot pak ndërtime pa leje, në krahasim me shumë, po sigurisht që për këtë jemi këtu ne, se po të ishin zgjidhur të gjitha, nuk do kishit ju nevojë për mua. Unë jam këtu pikërisht se nuk janë zgjidhur të gjitha dhe për sa kohë duhen zgjidhur të gjitha, jam unë këtu bashkë me këta. Për sa kohë duhen zgjidhur të gjitha, ju jeni aty për të krijuar për çdo zgjidhje një problem, kurse ne jemi këtu që për çdo problem të gjejmë një zgjidhje. Ky është ndryshimi jonë”, iu drejtua Rama deputetëve të opozitës në Kuvend.
“Nuk ka asnjë metër katror, asnjë kat, asnjë zgjerim, asnjë nënshtresë që nuk do t’i kthehet popullit shqiptar. Le ta ketë bërë kush të dojë dhe jeni të lutur të na ndihmoni nëse juve keni informacion për më shumë, por me juve ka një problem, se ju nuk dini të lexoni. Këtu është problemi. Ju siguroj që me paratë që do të mblidhen nga çdo godinë apo metër katror që do të vijë si rezultat i denoncimit tuaj, do të hapim një kurs për t’ju mësuar juve leximin”, tha ai.
/j.p/r.e/













